Xhaka për kartonët e shpeshtë: Ky jam unë dhe nuk ndryshoj, më pëlqen të rrezikoj
Granit Xhaka ka këmbëngulur se nuk do ta ndryshojë mënyrën sesi luan futboll, pavarësisht se e mori kartonin e pestë të kuq në karrierë për Arsenalin në gjysmëfinale të kupës së ligës kundër Liverpoolit javën e kaluar.
Mesfushori shqiptar i Arsenalit ishte përjashtuar nga loja direkt me karton të kuq pasi e kishte rrëzuar Diogo Jotan si lojtari i fundit në Anfield, dhe si pasojë ai mungoi në ndeshjen e kthimin të cilën Arsenali e humbi 2:0 në Emirates të enjten
Përfaqësuesi i Zvicrës u përball me kritika të ashpra dhe kërkoi falje në rrjetet sociale pas përjashtimit.
Kjo ishte hera e dytë që Xhaka u përjashtua këtë sezon, pas kartonit të kuq kundër Manchester City në gusht, por mesfushori me prejardhje nga Podujeva këmbëngul se është pjesë e lojës së tij të rrezikojë.
“Nuk është se unë e planifikoj këtë. Nuk është se e bëj me qëllim”, tha Xhaka në një intervistë për Sky Sports.
“Por nganjëherë, unë jam në pozitë kur më duhet të rrezikoj 50:50. Është e rrezikshme, natyrisht. Njerëzit do të thotë, ‘Po, por pse rrezikon gjithmonë?’”
“Ky jam unë. Nuk mund ta ndryshoj veten sot për nesër. Natyrisht se duhet të përmirësohem dhe e di se duhet të përmirësohem”.
Xhaka shtoi: “Por në këtë çast, nëse Jota e merr topin dhe shënon, njerëzit do të thonë përsëri, ‘Përse s’e ndale atë?’ Tani unë e ndal atë, ata thonë, ‘Pse po e merr kartonin e kuq?’”.