Xhaka më i miri i Përfaqësueses së Zvicrës për vitin 2024
Për herë të tretë rresht, Granit Xhaka është shpallur lojtari më i mirë i Përfaqësueses së Zvicrës. Xhaka u shpall lojtari më i mirë i përfaqësueses zvicerane të futbollit për vitin 2024. Ceremonia e më të mirëve në Zvicër u mbajt të hënën në Bernë.
Kapiteni i Zvicrës fitoi garën me Manuel Akanjin dhe Dan Ndoyen. Xhaka ka pasur një vit të madh. Udhëhoqi Bayer Leverkusenin drejt titullit të kampionit të Gjermanisë. Me Leverkusenin fitoi edhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa humbi në finale të Ligës së Evropës nga Atalanta. Ai po e udhëheq sërish Leverkusenin në garën për ta mbrojtur titullin e kampionit. Xhaka është i padiskutueshëm te Zvicra.
Trofeun në vend të Xhakës e pranoi përzgjedhësi i Zvicrës, Murat Yakin. Por Xhaka nëpërmjet video-incizimit tha se i gëzohet çmimit. “Jam shumë i lumtur për çmimin. Nuk ishte viti im. Ishte viti ynë, me një kampionat të madh evropian të zhvilluar. Dëshiroj t’i falënderoj të gjithë edhe njëherë, sidomos Murat Yakinin, i cili më ka mbështetur si në stërvitje ashtu edhe privatisht”, ka thënë Xhaka.
Xhaka ishte prej më të mirëve te Zvicra në Evropianin e mbajtur në Gjermani gjatë verës së vitit të kaluar. Në fillim të këtij muaji, saktësisht më 5 janar, Xhaka fitoi çmimin MVP për vitin 2024 në Zvicër.
Për çmimin, Xhaka mori edhe urimet e Akanjit. “Përshëndetje Granit, ti e meriton më shumë këtë. Ne luajtëm një kampionat të mrekullueshëm evropian, ku ju keni qenë lider. Edhe kur ishte i lënduar”, ka thënë Akanji.
Ndërkohë Ardon Jashari, është shpallur lojtari më i mirë i ri i vitit 2024 në Zvicër, kurse lojtari më i mirë i Kategorisë së Dytë të Zvicrës u shpall, Valon Fazliu i Aaraut.