Xhaka i mërzitur, Bayerni feston që nuk humbi

Xhaka i mërzitur, Bayerni feston që nuk humbi

Asnjë gol, asnjë rast i vërtetë për të shënuar dhe sigurisht asnjë gjuajtje në portë. Gjasat që Bayerni të shënonte gol, në bazë të llogarive pas ndeshjes, ishin 0.05, shkruan “Blick”. 

Pas ndeshjes kryesore të Bundesligës, historianët duhet të kthehen shumë prapa në librat e historisë për të gjetur një paraqitje më të zbehtë të Bayernit. Prej kur ka nisur mbajtja e statistikave në Bundesligë, vetëm Wolfsburgu nuk e kishte lejuar asnjë goditje në portë në ndeshje kundër Bayernit, në vitin 2008.

Megjithatë çdo gjë duket si fitore për bavarezët.

Përkundër dominimit në ndeshjen e së shtunës mbrëma, Bayer Leverkuseni dështoi të shënoi gol. Dhe derbi i Bundesligës përfundoi 0:0.

“Është pikë e shkëlqyer”, tha ylli i Bayernit, Thomas Muller.
“Ne nxorëm maksimumin nga kjo ndeshje”, deklaroi drejtori sportiv, Christop Freund.
“Kundërshtari e meritoi të drejtën për të kontrolluar lojën duke mbajtur topin, kështu që ne është dashur të fokusohemi në mbrojtje. Dhe jam krenar se si e bëri ekipi këtë”, ka thënë trajneri i Bayernit, Vincent Kompany.

38-vjeçari është dashur të mendojë për kohë të gjatë dhe është dukur pa fjalë kur u pyet nëse Leverkuseni e ka merituar fitoren.

“Jo, ne me gjasë i kemi shënuar mbi 100 gola këtë edicion dhe këtë herë kemi merituar një pikë me paraqitjen defenzive të skuadrës”, ka thënë Kompany.

Shembull i paraqitjes në mbrojtje të Bayernit ishte që ylli i sulmit Harry Kane e kaloi gjithë pjesën e dytë në mesin e mbrojtësve të qendrës.

Derisa Bayerni po e feston pikën, Leverkuseni duhet të përballet me ndjenja të përziera.

“Kishim paraqitje fantastike, ndoshta më të mirën ndaj Bayernit prej se unë jam trajner”, ka thënë trajneri Xabi Alonso.
“Qartë se nuk jemi të kënaqur me rezultatin, na mungoi goli”.

Shanset për gol ishin, ndonëse Alonso la për 90 minuta në stol yjet e sulmit si Victor Boniface e Patrik Schick. Schick u aktivizua në minutat shtesë. Edhe pa sulmues tipik të qendrës, Leverkuseni i krijoi tri raste ideale për gol. Shtylla e shpëtoi Manuel Neuerin dy herë.

Bayerni ia doli ta mbajë epërsinë prej tetë pikësh me Leverkusenin në krye të tabelës, pas xhiros së 22-të të Bundesligës. Por te Bayer Leverkuseni ende besojnë në mbrojtje të titullit. Ka ende shumë ndeshje deri në fund.

Granit Xhaka patjetër duhet të përmendet, ishte më i miri në fushë. Kapiteni i Zvicrës e organizoi mbrojtjen, orkestroi sulmin, fitoi topin, fitoi duele dhe ndonjëherë vrapoi disa metra shtesë për të bërë presion.

32-vjeçari është përkrahur vazhdimisht në stadium. Për shembull kishte reagim të tifozëve kur Xhaka futi topin mes këmbëve të Aleksandar Pavloviqit. Ai mori përkrahje edhe kur u godit keq nga Jamal Musiala, raporton koha.net.

Lideri i Leverkusenit megjithatë është dukur i mërzitur pas ndeshjes. Jo vetëm për shkak të gjurit të tij të lënduar nga goditja e Musialas. Ai po ashtu e di se ishin të gjitha kushtet për fitore të Leverkusenit.

Shpërndaje në: