Xhaka festoi me fanellën Jashari në Botëror, i del në mbrojtje presidenti i Federatës zvicerane
Presidenti i Federatës zvicerane, Dominique Blanc i ka dalë në mbrojtje Granit Xhakës për festën e tij me fanellën Jashari pas fitores speciale ndaj Serbisë në Botërorin e Katarit.
Futbollisti kosovar u kritikua pasi e mori fanellën e bashkëlojtarit të tij, Erdon Jashari, duke e lidhur festën me familjen legjendare Jashari.
Por, kreu i futbollit zviceran i doli në mbrojtje kapitenit të kësaj Kombëtareje.
“Mbi të gjitha, duhet thënë se ajo që e bën apo nuk e bën kapiteni ynë është rritur në mënyrë enorme nëpër media. Është e vështirë ta kuptosh se çka ndodh në mendjen e lojtarëve tanë me prejardhje kosovare, prindërit e së cilëve kanë qenë viktima të luftës. Por, duhet t’i kuptojmë. Edhe para lojës me Serbinë kemi bërë gjithçka që të bëhej fjalë vetëm për futbollin, pasi kishte tension enorm. Granit Xhaka ka shpjeguar gjestin e tij të bërë pas lojës dhe do të ishte e panevojshme për të shtuar diçka”, ka thënë Blanc për magazinën zvicerane “Blick”.