Xavi thotë se synojnë ta fitojnë La Ligën
Xavi Hernandez ka bërë llogaritjet e tij para ndeshjes për trofeun Joan Gamper, ndeshjen e fundit para se të fillojë La Liga, ku Barcelona do ta luajë ndeshjen e parë kundër Rayo Vallecanos
Skuadra Pumas e Dani Alves janë kundërshtarët e ndeshjes së të dielës, në të cilën Barcelona do të prezantohet para tifozëve të saj.
Trajneri katalunas është i kënaqur me ndeshjet para sezonale dhe me skuadrën që ai ka. Joan Laporta deri me tani ka bërë pesë transferime: Andreas Christensen, Franck Kessie, Raphinha, Jules Kounde dhe Robert Lewandowski si dhe ka siguruar rinovimet e kontratave me Ousmane Dembele dhe Sergi Roberto.
“Skuadra është shumë e mirë, ne kemi pasur një përshtypje të mirë për të gjatë sesioneve të stërvitjeve”, ka shpjeguar Xavi në konferencë për shtyp.
“Të gjithë në stërvitje kanë punuar shumë mirë, me intensitet të mirë, me ritëm të mirë. Turneu para sezonal ishte shumë pozitiv. Ne jemi stërvitur këtë javë, në të nxehtë, por kjo është puna që ne e bëjmë”.
“Nga ato kemi gjeneruar shumë entuziazëm, e pashë atë edhe gjatë prezantimit të Robertit dje. Ne po ashtu jemi shumë të entuziazmuar. Objektivi për këtë vit është të fitojmë tituj dhe të luajmë futboll të bukur. Ne dëshirojmë t’i bëjmë njerëzit të lumtur, ata e meritojnë këtë”.
Xavi mandej ka folur për kundërshtarët e së dielës dhe Dani Alvesin.
“Pumas janë një skuadër me ritëm të shpejt, janë në mesin e një gare, kanë një trajner të mirë. Ata kanë edhe lojtarë të mirë, përveç Danit, kanë Salvion në krah”, tha ai.
“Do të jetë e vështirë që të kemi kundërsulme kundër tyre. Ata zakonisht luajnë me tre mbrojtës , do të jenë kundërshtarë të komplikuar dhe me intensitet të lartë”.
“Është ndeshja e fundit para fillimit të sezonit, do të ndaj minuta për të gjithë”.
“Ajo do të shërbejë për t’i dhënë lamtumirë edhe Dani Alves. Ai e meriton atë. Kur i thashë atij se ai duhet të largohet nga klubi i thashë po ashtu se ai meriton një ndeshje për të. Bisedova me presidentin dhe kjo u bë e mundur”.