Weinstein do t’i paguajë 25 milionë dollarë femrat që e akuzojnë për keqtrajtim
Harvey Weinstein dhe udhëheqësia e studios së tij të falimentuar kanë arritur marrëveshje në vlerë prej 25 milionë dollarësh me dhjetëra femra, të cilat e kanë akuzuar producentin hollivudian për keqtrajtim seksual.
Marrëveshja do t’u japë fund të gjitha padive të aktoreve dhe ish-punëtoreve të filmbërësit të popullarizuar, të cilat e kanë akuzuar që nga shqetësimi seksual e deri te përdhunimi.
Pagesën do ta bëjë sigurimi i ish-kompanisë filmike Weinstein Co, ndërsa 67-vjeçari nuk është i detyruar ta pranojë fajin e as të paguajë asgjë.
Producentin e kanë akuzuar më shumë se 70 femra për keqtrajtim seksual, ndërsa ai i kishte hedhur poshtë akuzat duke thënë se gjithçka është bërë me pajtim të dyanshëm.
Sidoqoftë, padia për përdhunim të dy femrave (njërën në vitin 2006 dhe tjetrën në vitin 2013) mund ta dënojë Weinsteinin me burg të përjetshëm nëse shpallet fajtor në të gjitha pikat e akuzës. Gjyqi është caktuar për datën 6 janar 2020.