Weber për Kurtin: Premtoi reforma, përfundoi duke u merr me dialogun, Beogradin dhe serbët në Veri

Weber për Kurtin: Premtoi reforma, përfundoi duke u merr me dialogun, Beogradin dhe serbët në Veri

Analisti gjerman dhe njohësi i zhvillimeve politike, Bodo Weber, ka folur për rezultatin që doli nga zgjedhjet e 9 shkurtit dhe për votat që ka marrë Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit

Ai ka treguar arsyet e mundshme për rënien e Kurtit prej rreth 10%, krahasuar me zgjedhjet e kaluara.

“Ndryshe nga plani fillestar për t’u fokusuar në reformat e brendshme, Qeveria Kurti përfundoi duke u fokusuar në dialogun politik, konfliktin me Beogradin dhe ballafaqimin me serbët e Kosovës, Veriun”, ka thënë Weber.

Përveç kësaj, Weber ka folur edhe për qasjen e Qeverisë Kurti ndaj aleatëve dhe veprimeve të ndërmarra në Veri të vendit, duke thënë se mënyra se si ka vepruar Kurti në Veri për heqjen e institucioneve paralele serbe, ka thyer raportin e Kosovës me Perëndimin dhe gjithashtu ka bërë që të largohen dhe të mos përfshihen edhe serbët e Kosovës, përfshirë zërat liberalë, të cilët kishin pak shpresë  për një dialog të Qeverisë me serbët e Kosovës. Weber kujton se kjo gjë  ishte premtuar nga Kurti në fillim të mandatit.

Kur flet për këtë humbje të votës nga LVV-ja, Weber përmend edhe faktin se rezultatet e brendshme të Kurtit janë të përziera, pozitive e negative, dhe janë shoqëruar me një performancë jo-demokratike dhe retorikë politike radikale.

Sa i përket koalicioneve të mundshme, Weber thotë se duhet parë rezultatet përfundimtare, meqë votat e diasporës mund të ndryshojnë rezultatin në favor të Kurtit.

Analisti gjerman përmend disa modalitete se si mund të arrihet një shumicë e thjeshtë në Kuvend, megjithatë thotë se fakti që zgjedhja e presidentit të ri është shumë afër, imponon një koalicion më stabil.

“Megjithatë është e vështirë të shihet se si mund të materializohet qëndrimi  i kryeministrit Kurti për formimin e koalicionit të shumicës pa asnjë parti opozitare”, është shprehur analisti gjerman për Express.

“Sidoqoftë në fund, stabiliteti politik i Kosovës fillimisht do të varet tek konteksti ndërkombëtar dhe performanca e faktorëve perëndimorë”, shton tutje Bodo Weber.

Në fund të intervistë, i pyetur se cila është rruga e duhur për Kosovën marrë parasysh situatën e re gjeopolitike, Weber thotë se çfarëdo që të bëjë politika në Prishtinë, veçanërisht pas ndryshimeve dramatike gjeopolitike nga 20 janari “ e ardhmja e saj fatkeqësisht nuk do të varet kryesisht nga aktorët e brendshëm, por edhe nga ata të jashtëm”.

Bodo Weber pret që BE dhe Mbretëria e Bashkuar ta marrin më seriozisht dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë, meqë Kosovës do t’i bie të përballët me Administratën e re amerikane dhe me shumë gjasë me një përpjekje për rivendosje serioze të dialogut.

Sipas rezultateve preliminare dhe kur ende ka vota për t’u numëruar, LVV renditet e para me 340 mijë e 690 vota, apo 40.87 %, PDK e dyta me 183 mijë 661 vota apo 22.03 %, LDK me 146 mijë 815 vota apo 17.61 % renditet e treta, AAK-NISMA e 4-ta me 62 mijë e 172 vota apo 7.46 %.

Shpërndaje në: