Walz dhe Vance pajtohen të përballen në debat më 1 tetor
Kandidatët për nënpresidentë në Shtetet e Bashkuara janë pajtuar që të përballen në një debat, që do të organizohet nga CBS News më 1 tetor.
CBS njoftoi se u kishte ofruar katër debate potenciale në shtator dhe tetor, guvernatorit demokrat të Minesotës, Tim Walz, dhe senatorit republikan të Ohajos, J.D Vance.
“Shihemi më 1 tetor, J.D”, shkroi Walz në X, para se fushata e kandidates demokrate për presidente, Kamala Harris, zyrtarisht të konfirmonte se Walz ka pranuar që të marrë pjesë në këtë debat.
Vance tha po ashtu se ka pranuar debatin e 1 tetorit, duke sugjeruar se CNN ka ofruar mbajtjen e një debati më herët, më 18 shtator.
Vance tha se “ky nuk do të jetë si debatet e tjera të rreme… ku nuk ka publik”, sikurse ai që u zhvillua më 27 qershor mes presidentit Joe Biden, dhe kandidatit republikan për president, Donald Trump.
Ndërkaq, Harris dhe Trump pritet të marrin pjesë në debatin e 10 shtatorit, që do të organizohet nga ABC News.
Harris hyri më vonë në garën për Shtëpinë e Bardhë, pasi presidenti Biden u tërhoq nga kandidimi edhe për një mandat presidencial, për shkak të shqetësimeve për moshën e tij dhe rënies së mbështetjes për të. Pas tërheqjes, ai mbështeti Harrisin për kandidaten e demokratëve për zgjedhjet e 5 nëntorit./rel