VV-ja e nënshtron MPJ-në për agjendat e saj politike, komunikimet me KQZ-në i dërgohen partisë së Kurtit për t’u përdorur si fakte në 7 ankesa për PZAP-n
Pa një kërkesë zyrtare për qasje në dokumente publike, Lëvizja Vetëvendosje ka përdorur pushtetin për të nënshtruar një dikaster me rëndësi të madhe shtetërore, siç është Ministria e Punëve të Jashtme që drejtohet nga Donika Gërvalla – Shwarz dhe ta ‘detyrojë’ atë të punojë për interesat e ngushta politike të saj.
Çdo komunikim i zyrtarëve të MPJD-së me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë punës së tyre të përbashkët për të përcaktuar përfaqësitë diplomatike në të cilat do të mund të votohet me 8 shkurt, ka përfunduar edhe në Lëvizjen Vetëvendosje.
Ky komunikim është përdorur si argument nga Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë dhe prej 6 qendrave të saj jashtë vendit për t’u ankuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të KQZ-së për caktimin e numrit maksimal të votuesve dhe të vendvotimeve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës.
Periskopi ka raportuar me 3 shtator se si qendrat e Vetëvendosjes në Britani, Gjermani, Suedi, SHBA, Francë, Norvegji – nuk janë lejuar nga drejtuesit e partisë së tyre në Kosovë që të përgatisin personalisht dhe sipas këndvështrimit të tyre ankesat e tyre kundër vendimit të KQZ-së për disa çështje të votimit jashtë Kosovës.
Përveç farsës së këtij procesi ankimor, në ankesat e këtyre qendrave të Vetëvendosjes vërehet lehtësisht se teksti është i njëjtë me atë të ankesës që Lëvizja Vetëvendosje me seli në Prishtinë e ka parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa kundër vendimit të KQZ-së.
Periskopi ka siguruar ankesat e plota që Vetëvendosje në Prishtinë dhe 6 qendrat e saj i kanë parashtruar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
“Faktet” që kanë përdorur në këto ankesa me tekst “copy – paste” janë të njejta në secilën prej tyre.
“Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e ka shumë të lehtë që të vendosë për “7 ankesat” e Vetëvendosjes, pasi që të gjitha janë të njeta dhe nuk dallojnë në asnjë fjali të vetme.
Ministria e Punëve të Jashtme, aktualisht drejtohet nga Donika Gërvalla – Shëarz e cila është njëra nga kryetaret e partisë Guxo.
Lëvizja Vetëvendosje ka refuzuar që të bëjë koalicion zyrtar me Guxo, por në listën e partisë së Kurtit pritet që të garojnë përfaqësuesit e kësaj partie.