VV bojkotoi seancën për çështjen e ushqimit të FSK’së, Kuvendi i takon i gjithi opozitës

VV bojkotoi seancën për çështjen e ushqimit të FSK’së, Kuvendi i takon i gjithi opozitës

Në Kuvendin e Kosovës është thirrur seancë e jashtëzakonshme rreth çështjes së ushqimit për FSK’në. Seancën e thirrur nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), e ka bojkotuar Lëvizja Vetëvendosje, ku para nisjes, deputetët Enver Dugolli dhe Mefail Bajqinovci, bën të ditur se nuk do të marrin pjesë, përcjell Periskopi.

Në mungesë të mazhorancës, i gjithë Kuvendi i ‘takoi’ opozitës ku deputetët akuzuan qeverinë për gjendjen alarmante që ka ardhur FSK’ja.

I ashpër në fjalimin e tij ishte, kreu i AAK’së, Ramush Haradinaj, ku as kësaj radhe nuk i kurseu fjalët për kryeministrin Kurti.

Duke e quajtur, “mashtrues, tradhtar e spiun të Serbisë”, Haradinaj tha se Kurti e la ushtrinë pa bukë dhe se po punon në dëm të Kosovës.

‘’I kam thënë mashtrues e tradhëtar por edhe spiun i Serbisë. Po ai i ka të gjitha këto sepse ka lënë ushtrinë e tij pa bukë, ai punon në dëm të Kosovës’’, ka thënë Haradinaj.

Nga Aleanca ka folur edhe deputeti Bekë Berisha, i cili goditi VV’në dhe Dejona Mihalin për ushtrinë.

“Nëse ju e quani veten “Qeveri”, këto gjëra nuk lejohen të ndodhin. Besa nuk kanë ndodhë në asnjë Qeveri më herët. Duhet me ngulm t’i përmbushni obligimet që ju i keni dhënë dhe jo të propagandoni ashtu qysh veç ju dini. Po ua përsëris; nuk ka lojë me ushtri. Mbane detyrën, plotësojani kushtet, përndryshe shteti dështon dhe ju në krye me të.
Tash shtrohet pyetja: Nëse ka mrri kjo Mihali me hy në ministri të Mbrojtjes, çka nuk din? Ajo tana i ka kallëzu, se qëllimi i saj është me i ditë tjeterkush. Për krejt këtë neglizhencë, për me e kthy dinjitetin, sot ish dashtë me zgjedhë problemin edhe me dhanë dorëheqje ministri, zëvendësministri, sekretari i zgjedhur jashtëligjshëm… Këta nuk e dinë qysh o puna. Sot më ka vetë një televizion se pse nuk janë mazhoranca këtu, unë gabimisht ju thashë se nuk kanë fytyrë. Por këtyre për fytyrë nuk ua nin hiç. Sa i përket konferencës për shtyp që po m’çojnë selame se neve qysh me rujt ushtrinë. Ushtrinë duhet me ru ju, se nuk duhet me vjedhë”, tha ndër të tjera Berisha.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti tha se e gjithë situata e krijuar është absurde.

“Jemi në fund të mandatit qeverisës dhe sot Kuvendi debaton për furnizimin me ushqim të FSK-së . Është gjëja më absurde, si kish shku askujt ndërmend që vijmë në këtë pikë. Ky është degradimi që i kanë bërë ushtrisë dhe shtetit të Kosovës”, tha ai

Albana Bytyqi, deputete e AAK-së, tha se situata në FSK është “alarm i madh”.

Ajo tha se “nuk mund të lejojmë që kjo qeveri të vazhdojë të shkel mbi dinjitetin e ushtarëve tanë”.

Bytyqi tha se situata e tanishme i zhgënjen edhe të rinjtë, të cilëve sipas saj iu zbehet vullneti për t’iu bashkuar FSK-së.

“Çdo ushtar që nuk trajtohet me dinjitet, humb besimin në misionin që e ka zgjedhur me krenari, dhe kur bie morali i ushtarëve, bie edhe morali i kombit. Sot, përveç ushtarëve që vuajnë në heshtje, sot të rinjtë tanë shohim me zhgënjim dhe pyesin veten ‘a ia vlen të bashkohemi me Forcat e Sigurisë së Kosovës kur qeveria jonë nuk kujdeset për ata që tashmë shërbejnë?’”, tha ajo.

Nga radhët e PDK’së, deputeti Bekim Haxhiu tha se Albin Kurti deshi ta imitojë presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyn, por s’arriti për shkak të hajnisë.

“Albin Kurti, ka pasë dëshirë ta imitojë Zelenskyn, por punën me ushtrinë Kurti në krahasim me Zelenskyn është shndërruar në simbol të hajnisë e mbrojtës i hajnave. Zelensky në luftë i siguron ushtarëve edhe ushqim edhe armatim, e Albin Kurti në paqe nuk po arrin të bëjë diçka të tillë për shkak të hajnisë”, u shpreh Haxhiu. /Periskopi/

Shpërndaje në: