Vuçiqit s’i vjen mirë për arrestimin e Dodik: Po gabojnë rëndë

Vuçiqit s’i vjen mirë për arrestimin e Dodik: Po gabojnë rëndë

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se Serbia nuk do të mbështesë kurrë arrestimin e presidentit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, kryeministrit Radovan Vishkoviq dhe kryetarit të Asamblesë Kombëtare të Republikës Sërpska, Nenad Stevandiq.

Sidomos, siç theksoi ai, “jo për shkak të mosmarrëveshjeve politike me Sarajevën zyrtare dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare”.

“Urdhërarresti që vjen nga Sarajeva nuk është kontribut për paqen. Përkundrazi, ai çon në destabilizimin, prishjen e marrëdhënieve të ndërsjella dhe krijimin e kaosit në rajon”, tha Vuçiq.

Ai theksoi se “Serbia do të jetë gjithmonë e përkushtuar për ruajtjen e paqes dhe respektimin e Marrëveshjes së Paqes të Dejtonit, por gjithashtu se do të qëndrojë pranë Republikës Sërpska dhe lidershipit të saj”.

“Në shekullin e 21-të nuk ka asnjë vend në botë ku për mosmarrëveshje politike dhe fjalë të thëna të arrestohen kryetarët e subjekteve, kryeministrat dhe kryetarët e parlamenteve. Kjo nuk është mungesë demokracie, është një diktaturë e hapur, e cila për fat të keq mbështetet nga disa përfaqësues ndërkombëtarë”, theksoi presidenti serb, transmeton Periskopi.

Vuçiq tha se “presionet ndaj Republika Sërpska dhe Serbisë po rriten”, dhe se në këto momente më e rëndësishmja është “ruajtja e unitetit dhe lufta për të ardhmen”.

“Ne do ta mbrojmë lirinë, do të respektojmë të drejtën ndërkombëtare, Marrëveshjen e Dejtonit dhe Kushtetutën e Serbisë. Por ata që mendojnë se do ta copëtojnë dhe shkatërrojnë Serbinë gabojnë rëndë”, theksoi Vuçiq.

Shpërndaje në: