Vuçiq pas takimit me Thaçin: Kurrë s’kam folur për shkëmbim territoresh 

Periskopi.com Lajme

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me nervozizëm u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, pas përfudnimit të takimit me homologun e tij nga Kosova, Hashim Thaçi në Bruksel, në takimin që është mbajtur nën lehtësimin e Federica Mogharini.

Vuçiqi ka thënë se “Serbia është e hapur për dialog, por edhe pala tjetër duhet të respektojë marrëveshjet”.

Një pjesë të madhe të diskutimit të tij, Vuçiqi e ka orientuar me kritika drejt vendimit të Qeverisë së Kosovës për të vënë taksë prej 10 për qind për mallrat që vijnë nga Serbia dhe Bosnja.

Gazetari i Grupit KOHA, Augustin Palokaj, e ka pyetur Vuçiqin, se a parashihet në marrëveshjen përfundimtare njohja reciproke midis Kosovës e Serbisë, siç e ka thënë presidenti Thaçi, dhe hapja e rrugës drejt anëtarësimit në BE.

“E çfarë t’ju sigurojmë edhe më, e ne të mos fitojmë asgjë? Çfarë dëshirash tjera keni? Ne jemi të gatshëm që të flasim për shumë gjëra, por duam të dimë se çfarë do të fitojë Serbia. E kur ta marrim vesh këtë atëherë mund të flasim për gjithçka tjetër”, ka thënë Vuçiqi në përgjigjen e tij.

E çfarë është ajo që Serbia kërkon që ta fitojë, ka qenë pyetje e radhës.

“Këtë e dinë të gjithë ata që janë në bisedime këtu”, ka thënë ai.

A nënkupton kjo “shkëmbim territoresh”, është pyetur më tej.

“Nuk kam folur unë për shkëmbim territoresh. Asnjëherë”, ka thënë Vuçiq.

“Çfarë janë në gjendje të respektojnë shqiptarët nëse nuk janë në gjendje të respektojnë marrëveshjet të cilat i kanë nënshkruar para 10 vjetësh”, ka thënë Vuçiq.

Vuçiq: Shqiptarët kanë vrarë e dhunuar serbë në luftë

I pyetur për daljen në publik të Vasfije Krasniqit, viktimës së dhunës seksuale në luftën e Kosovës, Vuçiq ka thënë se Serbia është marrë me kriminelët e vetë të luftës, por ka shtuar se Kosova nuk po bën diçka të tillë.

“Ka shumë njerëz që janë dënuar për krime lufte, por asnjë nga Prishtina dhe ka shumë kriminelë lufte nga Prishtina, që kanë dhunuar serbë e kanë vrarë, kanë bërë transportim organesh organe në Tropojë e Kukës. Serbia u mor me kriminelët e luftës dhe ne do të merremi gjithmonë me kriminelët e luftës, por pala tjetër asnjëherë nuk e bëri këtë”, ka thënë Vuçiq.

 

Shpërndaje në: