Vrasja e vitit të kaluar në Podujevë, gruaja e të ndjerit thotë se qëllimi i të akuzuarit ishte t’i shuante si familje
Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë është dëgjuar bashkëshortja e të ndjerit V.B., L.S., në rastin ku Arsim Syla po akuzohet për rastin e vrasjes së V.B në “Interex” në Podujevë. L.S., tha se qëllimi i të akuzuarit ishte t’i shuante si familje dhe se i akuzuari e kishte orientuar të birin të kryente vrasajen.
E dëmtuara në cilësi të dëshmitares L.S., tha para Gjykatës se ajo së bashku me bashkëshortin dhe djalin e saj, kanë qenë cak i të akuzuarit, me qëllim të shuarjes së tyre si familje, raporton “Betimi për Drejtësi”
“Për shkak se qëllimi i tij veç e thash edhe ma herët u kanë me na shu neve”, tha e dëmtuara, referuar të akuzuarit Syla.
L.S., tha se e ka parë personin që ka shkrepur në drejtim të burrit të saj dhe se mund ta idnetifikojë, por jo në ato momente, pasi sipas saj, asokohe ai ka qenë fytyrë e panjohur për ta.
“Më ka goditur në dorën e majtë edhe mendoj që e ka shpëtu djalin tim, sepse siç shihet në video-inçizim ai ishte para meje”, ka thënë e dëmtuara.
Ajo ka pohuar se si rezultat i atyre plagëve, ajo vazhdon të vuajë pasojat edhe sot e tutje.
“Po, kam pas pasoja që edhe sot po i vuaj dhe që më kanë mbet si dëmtim gjatë gjithë jetës, perveç kësaj, kam trauma shumë të mëdhaja…”, tha e dëmtuara, duke treguar se ka ende probleme shëndetësore.
L.S., ka shtuar se për shkak të shëndetit nuk punon dhe nuk është në gjendje të punojë, po ashtu ajo jeton në shtëpi të prindërve të saj, dhe se janë familja ata që përkujdesen për ushqimet e veshmbathjet per të dhe djalin e saj.
Në përshkrimin e asaj se çka ka ndodhur, e dëmtuara ka thënë se kanë hyrë për të blerë gjëra ushqimore në ‘Interex’ dhe teksa ishin në sektorin e qumështit nga prapa, janë qëlluar nga djali i të akuzuarit.
Ajo pohon se pas goditjes së bashkëshortit të saj dy herë, e ka nxjerrë armën tjetër nga çanta dhe ka goditur edhe katër herë të tjera në kokë bashkëshortin e saj.
“E kam pa që dorasi e ka goditur edhe katër herë me revolen tjetër që e ka nxjerrë nga çanta, në kokë”, ka thënë e dëmtuara.
E pyetur nga prokurorja Dulina Hamiti nëse ka njohuri se cili ka qenë motivi që ka shtyrë deri te ky rast, e dëmtuara e ka lidhur me një rast që i ka ndodhur më herët të akuzuarit.
Sipas saj, edhe ajo do donte të dinte arsyen, pasi bashkëshorti i saj i ndjerë nuk ka pasur asnjë konflikt me të pandehurin, përpos një rasti që ka qenë prezent në incidentin që i ka ndodhur tani të akuzuarit Syla me Sh.R., (shokun e viktimës), ku i akuzuari Syla kishte mbetur i plagosur.
Për këtë rast, ajo tha se tani i ndjeri V.B., ka qenë i ndaluar për 48 orë, mirëpo nuk është burgosur e as gjykuar për këtë rast, pas i njëjti ishte liruar ngase sipas të dëmtuarës nuk kishtë të bënte asgjë me rastin.
Mbrojtësit i të akuzuarit, avokati Besnik Berisha ka pyetur të dëmtuarën rreth asaj se pse do ketë dashur ta privojë nga jeta i akuzuari Syla tashmë të ndjerin V.B., duke qenë se ai është shpallur i pafajshëm në atë se çfarë i ka ndodhur të akuzuarit.
“Mendoj që Arsimi nuk ka pas guxim të hakmerret direkt ndaj personit që e ka kry aktin ndaj tij, pasi ai ka mbështetje familjare shumë të madhe që V., nuk e kishte, dhe për këtë arsye hakmarrja u bë ndaj neve për me lëndu shpirtënisht shokun e V., sepse kanë qenë të lidhur shumë mes vete”, tha e dëmtuara Sylejmani.
Në seancën e sotme, po ashtu janë dhënë fjalët hyrëse të palëve në procedurë, ku prokurorja Dulina Hamiti ka deklaruar se pas shyqrtimit të provave materiale dhe dëgjimit të dëshmitarëve, do të provohet se i akuzuari është përgjegjës për veprën që i ngarkohet në aktakuzë.
Ndërkaq, avokati Besnik Berisha është shprehur se në këtë gjykim do të provohet se i akuzuari Syla nuk kishte asnjë lidhje me atë çka ka ndodhur, përveç që është prindi i të miturit, e që kjo, siç shprehet Berisha nuk përbën krim.
Sipas tij, Prokuroria ka dështuar në kalimin e standardit përtej dyshimit mirë të bazuar, standard ky që sipas tij nuk është përbushur as gjatë hetimit, e që beson që nuk do përmbushet as gjatë gjykimit.
Berisha thotë se i mbrojturi i tij nuk ka ndërmarrë asnjë veprim që përkufizon krim në lidhje me rastin në fjalë.
“Asnjë veprim që përkufizon krim nuk është ndërmarrë nga Arsimi, as atë ditë e as ditë më parë”, ka thënë mes tjerash Berisha.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 18 mars 2024, kishte ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Arsim Syla, pasi që i njëjti me qëllim të hakmarrjes, për shkak të një konflikti që kishte pasur më herët, gjatë vitit 2022, me tani të ndjerin V.B dhe Sh.R, i pandehuri kishte porositur djalin e tij të mitur L.S, që ta privojë nga jeta tani të ndjerin V.B.
Tutje, në aktin akuzues thuhet se më 11 shtator 2023 i pandehuri Syla me djalin e tij të mitur L.S, kishin shkuar në kafiterinë e marketit ‘Interex’ në Podujevë, ku rreth orës 12:19, kishin vërejtur të ndjerin V.B, duke hyrë në market bashkë me bashkëshorten e tij, të dëmtuarën L.S dhe fëmijën e tyre 4 vjeçar.
Sipas aktakuzës i pandehuri Syla me djalin e tij L.S, dalin nga restauranti, ku Syla e orienton të miturin L.S në drejtim të të ndjerit V.B, i cili vihet në ndjekje të tij, ndërsa i pandehuri Syla vazhdon për të dalë nga objekti dhe në momentin kur i ndjeri V.B bashkë me bashkëshorten e tij L.S dhe fëmijën e tij arrijnë tek sektori i produkteve të qumështit, i mituri L.S i afrohet nga mbrapa dhe fillimisht shtënë dy herë në drejtim të të ndjerit V.B.
I njëjti duke e qëlluar në shpinë dhe qafë, njëra nga predhat e tejshkon trupin e tani të ndjerit V.B dhe e qëllon edhe të dëmtuaren bashkëshorten e tij, L.S, e cila fillimisht kishte filluar të ikë në momentin kur kishte dëgjuar krismën, ndërsa i mituri L.S nga çanta kishte nxjerrë revolen tjetër me të cilën qëllon edhe katër herë në kokën e tani të ndjerit V.B, i cili tanimë ishte i shtrirë në tokë.
Si pasojë e këtyre të shtënave nga arma i zjarrit, i ndjeri V.B, vdes në vendin e ngjarjes ndërsa e dëmtuara L.S, dërgohet në QKUK nga plagët e rënda që ka pësuar menjëherë pas të shtënave.
Kurse, i mituri L.S., me shpejtësi kishte dalur nga ‘Interex’ duke u larguar në këmbë në drejtim të panjohur, kurse i pandehuri Syla ishte ofruar tek vetura e tipit ‘Mercedes E200’, të cilën e kishte parkuar përballë ‘Interex’ dhe kishte shkuar në shtëpinë e tij në fshatin Gllamnik në Podujevë, ku edhe ishte arrestuar nga Policia e Kosovës.
Gjatë bastisjes në shtëpinë e tij, ishin gjetur dhe sekuestruar, një pistoletë dhe një pushkë gjuetie me dylbi me leje për mbajtje, me 62 fishekë të pistoletës si dhe 20 fishekë të pushkës së gjuetisë dhe 2 antiplumba.
Me këtë i pandehuri Arsim Syla, në bashkëkryerje me të miturin L.S, kishte kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”.