Vrasja e Marigona Osmanit, i akuzuari Krivaqa mundohet të shfajësohet: Nuk ishte e qëllimshme
Në fjalën përfundimtare të enjten në Gjykatën Themelore në Ferizaj, i akuzuari Dardan Krivaqa tha se tani e ndjera Marigona Osmani është personi që e ka dashur dhe se vrasja e saj nuk ka qenë e qëllimshme.
“Është personi që e kam dashtë, nuk ka qenë e qëllimshme, nuk kam qenë në dijeni që do të shkaktoja kaq shumë lëndime që ajo të vdiste, unë kam dashtë me kriju familje me të. Edhe një herë, ju kërkoj falje familjarëve”, tha Krivaqa.
Derisa Krivaqa po deklarohej, babai i tani të ndjerës u largua nga salla e gjykimit.
Në anën tjetër, prokurori Valdet Avdiu deklaroi se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar më 1 gusht 2023 dhe një kopje të saj ia dorëzoi trupit gjykues.
“Ne kemi pas rast të dëgjojmë edhe mbrojtjen e të akuzuarit Dardan Krivaqa, i cili ka deklaruar se rrëzimet e të ndjerës kanë qenë shkak i lëndimeve të të ndjerës. Prokuroria nuk ia ka falë besimin deklarimit të tij dhe pretendimeve të tij. Po ashtu, Prokuroria nuk ia ka falë besimin deklarimit të tij ku thotë që ka qenë nën ndikim të narkotikëve siç ka deklaruar që nuk mund të ecte”, tha prokurori, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ai i propozoi Gjykatës që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë për veprat që iu vihen në barrë.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gazmend Rexhepi fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar, kurse gjatë elaborimit të saj tha se e mbështet fjalën e prokurorit dhe se sipas tij, në këtë rigjykim janë larguar edhe ato pak dyshime që ishin.
“Personi i parë gjatë tërë jetës së tij, është i prirur të trillojë rrena të tij. Fillimisht thotë se është rrëzuar shkallëve aty ka pësuar lëndimet, kjo nuk qëndron dhe vërtetohet edhe nga deklarimi i të akuzuarit Arbër Sejdiu, i cili ka deklaruar se kur e ka pa në dhomë Marigonën, ka qenë në gjendje të rëndë dhe me shenja dhune. Këta e kanë vrarë në mënyrën më të keqe- mizore Marigonën”, tha Rexhepi.
Ai kërkoi që dy të akuzuarit të marrin dënimin e merituar, duke propozuar që të zbatohet neni 41 i Kodit Penal që ndaj tyre të shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm.
I dëmtuari Muhabi Osmani (babai i tani të ndjerës), e mbështeti fjalën përfundimtare të Rexhepit.
“Sa i përket deklarimit të të akuzuarit Krivaqa se vajza ime ka qenë përdoruese e drogës, kjo nuk është aspak e vërtetë. Këta e kanë bërë turpin ma të madh njerëzor”, tha i dëmtuari Osmani.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Krivaqa, avokati Skender Musa fjalën përfundimtare e dorëzoi në formë të shkruar dhe e elaboroi shkurtimisht në gjykatë.
Ai tha se i shpreh sërish ngushëllime familjes së tani të ndjerës, duke shtuar se prokurori e ka për detyrë të respektojë të drejtat e të akuzuarit bazuar në prova dhe t’i analizojë provat fajësuese e ato shfajësuese.
“Në rastin konkret, si në aktakuzë edhe në fjalë përfundimtare përkundër faktit se Gjykata e Apelit e ka udhëzuar të shikojë kualifikimin e veprave penale dhe pikat 1.3, 1.4 dhe 1.7, i njëjti edhe pse ka obligim ligjor të marrë parasysh të dhënat e Apelit, e tha një të pavërtetë se kinse i akuzuari ka thënë se lëndimet i ka marrë nga rrëzimi”, tha Musa.
Avokati tha se nuk është e vërtetë që Krivaqa ka bërë atë deklarim, por që ka deklaruar se tani e ndjera ka pasur mundësi t’i ketë ato lëndime nga rrëzim.
“Fakti që e ka dërgu në Qendrën Emergjente në Ferizaj është rrethanë lehtësuese të cilën prokurori duhet ta cekë”, u shpreh Musa.
Sipas tij, nuk ka prova që vërtetojnë se Dardan Krivaqa ka kryer veprën penale të dhunimit.
“Dardani nuk e mohon se nga veprimet e tij ka ndërruar jetë e ndjera, por ka deklaruar se nuk ka qenë vetvetja për shkak të ndikimit të substancave narkotike dhe alkoolit… Ne konsiderojmë se Dardan Krivaqa ka kryer vepren penale të vrasjes”, tha avokati Musa, duke propozuar që Krivaqës t’i rikualifikohet vepra penale.
Lidhur me propozimin e palës së dëmtuar që të akuzuarit të dënohen me burgim të përjetshëm, avokati Musa tha se “Ligji thotë se gjykata nuk mund të përcaktojë dënim të përjetshëm si të vetmin dënim për një vepër penale”.
E mbrojtësja e të akuzuarit Arbër Sejdiu, avokatja Arbnora Shefkiu, fjalën përfundimtare e dorëzoi me shkrim dhe shtoi se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i saj ka marrë veprime për të privuar nga jeta tani të ndjerën.
“Po ashtu, nuk është vërtetuar me asnjë provë se Arbri ka kryer veprën penale të dhunimit”, tha avokatja Shefkiu.
Sipas saj, në dhomën ku ka ndodhur ngjarja nuk ka qenë fare prezent Sejdiu dhe se kjo vërtetohet edhe nga video-incizimet. Tha se ndihma e vetme e tij ka qenë për ta dërguar Osmanin në Spital për ta shpëtuar.
“Gjykata duhet të marrë parasysh se i njëjti ka deklaruar se është IT, sikur i njëjti të donte të ikte nga përgjegjësia ai e dinte që ka kamera aty, do të manipulonte me to për ta fshehur veten. Andaj, i nderuar trup gjykues, propozoj që të lirohet nga akuza në mungesë të provave”, tha Shefkiu.
Vetë Sejdiu tha se e mbështet fjalën e mbrojtëses së tij.
Më pas, kryetari i trupit gjykues, Sahit Krasniqi e shpalli të përfunduar këtë çështje të rigjykimit dhe njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 29 korrik 2024.
Ndryshe, Gjykata Themelore e Ferizajt më 4 gusht 2023 e ka dënuar me burgim të përjetshëm Dardan Krivaqën për vrasje e Marigona Osmanit. Ndërsa ishte liruar nga akuza për dhunim. Arbër Sejdiu ishte dënuar me 15 vite burgim për ndihmë në vrasjen e rëndë në bashkëkryerje. Sejdiu ishte liruar nga vepra penale e ndihmës në dhunim.
Por, Gjykata e Apelit me aprovimin e ankesës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe mbrojtjes së dy të akuzuarve, e ka kthyer çështjen në rigjykim.
18 vjeçarja Marigona Osmani u vra më 22 gusht të vitit 2021 në banesën e të akuzuarit kryesor, Dardan Krivaqa, në qytetin e Ferizajt.
Sipas aktakuzës, Dardan Krivaqa thuhet se më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar atë të kryente marrëdhënie seksuale dhe e kishte abuzuar e maltretuar në forma të ndryshme.
Një ditë më pas, më 22 gusht 2021, Krivaqa dhe Sejdiu akuzohen se kanë privuar nga jeta Marigona Osmanin, në përpjekje për të fshehur veprën penale të dhunimit.
Më 14 korrik 2022, ishte mbajtur seanca fillestare ku Dardan Krivaqa ka shfrytëzuar të drejtën të mbrohet në heshtje, kurse Arbër Sejdiu, është deklaruar i pafajshëm.
Krivaqën, Prokuroria e ngarkon me veprën penale vrasje e rëndë dhe dhunim, kurse Sejdiu po akuzohet për veprën penale vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjen e dhunimit.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Dardan Krivaqa më 21 gusht 2021, rreth orës 10:14, në banesën e tij në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, pa pëlqimin e tani të ndjerës Marigona Osmani, e kishte detyruar të njëjtën për të kryer marrëdhënie seksuale, e cila siç thuhet në aktakuzë përcillet me tortura.
Gjithnjë sipas aktakuzës, aty thuhet se i pandehuri Krivaqa fillimisht pa dëshirën e tani të ndjerës ka kryer marrëdhënie seksuale në sallon, pas kryerjes së aktit seksual të njëjtën të zhveshur e kishte dërguar në banjo, nga aty me dhunë e kishte dërguar në dhomën e gjumit, mirëpo me kalimin e kohës për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore tani e ndjera Marigona Osmani si pasojë e dhunës së ushtruar kishte humbur aftësinë për të rezistuar, e ku në dy raste në mbrëmje kishin kryer marrëdhënie seksuale, pastaj i pandehuri Dardan të zhveshur e kishte dërguar në banjë, e ku i vërehen edhe lëndimet në trup.
Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “Dhunimi” nga neni 227, par. 4, nënpar 4.1, lidhur me par.1 të Kodit Penal.
Sipas dispozitivit të dytë të kësaj aktakuze, i pandehuri Arbër Sejdiu më 21 gusht 2021, në banesën e të pandehurit të parë në rrugën “Ramadan Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje i kishte ndihmuar të pandehurit Dardan Krivaqa në kryerjen e veprës penale të dhunimit.
Sipas aktit akuzues thuhet se fillimisht dy të pandehurit kishin kontaktuar përmes telefonit dhe ishin takuar në qytet, pastaj së bashku ishin kthyer në banesë, ku i pandehuri Arbër posa kishte arritur, duke qenë në dijeni se i pandehuri Dardan është duke e dhunuar tani të ndjerën Marigona Osmani, me dashje kishte marrë veprime me të cilat lehtësohet kryerja e dhunimit.
Tutje thuhet se dy të pandehurit së bashku kishin hyrë në dhomën ku kryhet dhunimi, e ku e ndjera ishte e zhveshur, e të cilin veprim gjatë qëndrimit në banesë e merr disa herë, po ashtu dhe gjatë asaj kohe kishte përcjellë gjendjen nëse ndonjë nga banorët është duke lëvizur aty pari.
Siç e përshkruan aktakuza, i pandehuri Arbër Sejdiu po ashtu edhe disa herë kishte dalë nga banesa për të blerë gjëra ushqimore, ndërsa gjatë gjithë kohës dy të pandehurit kishin biseduar mes vete, kështu tutje, të pandehurit Dardan Krivaqa i kishte dhënë telefonin për të thirrë kompaninë e cila menaxhon kamerën, që ishte e vendosur në korridorin e banesës me qëllim që të fshihen video-incizimet, gjegjësisht provat e veprës penale.
Me këtë, Sejdiu akuzohet se ka kryer veprën penale “Ndihmë në kryerjen e dhunimit” nga neni 227, par 4, nënpar. 4.1, lidhur me par. 1 dhe nenin 33 të Kodit Penal.
Kjo aktakuzë në dispozitivin e III-të, dy të pandehurit Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu i ngarkon për veprën penale të vrasjes së rëndë në bashkëkryerje.
Aty thuhet se më 22 gusht 2021, në banesën e të pandehurit Dardan Krivaqa, në rrugën “Ramadan “Rexhepi”, në Ferizaj, me dashje dhe në bashkëkryerje, me qëllim të fshehjes së veprës penale dhunimi e kanë privuar nga jeta tani të ndjerën Marigona Osmani, me të cilën i pandehuri i parë ishte në bashkësi jashtëmartesore.
Tutje, sipas aktakuzës, përshkruhet se në intervale kohore nga ora 10:56 deri në orën 14:43, i pandehuri i parë kishte marrë një shkop, e së bashku me të pandehurin e dytë kishin hyrë në dhomë dhe kishin filluar ta godasin tani të ndjerën në pjesë të ndryshme të trupit, me ç’rast të njëjtës i kanë shkaktuar dhimbje të mëdha fizike dhe psiqike, ku nga goditjet e njëjta ka pësuar politrauma-lëndime të shumëfishta, ku vdekja shkaktohet drejtpërdrejt nga asfiksia mekanike, si dhe shoku hemorragjik dhe traumatik, të cilat janë pasojë e gjakderdhjes së jashtme dhe gjakderdhjes së brendshme, nga thyerja e ashtit të nofullës së poshtme, thyerja e brinjëve, klavikulës së majtë, unazave të qafës, gjakderdhjes epidurale dhe subdurale në pjesën e pasme të trurit të madh dhe në trurin e vogël, këputje parciale të palcës së kurrit në qafë, të njëjtën e dërgojnë në Spitalin e Përgjithshëm – Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe largohen nga aty.
Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173, par. 1, nënpar. 1.3, 1.4 dhe 1.7, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, dosja e plotë e Prokurorisë, të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, tregon në detaje se si ka ndodhur i gjithë rasti.
Kujtojmë se më 29 prill 2024, Gjykata Themelore në Ferizaj njoftoi se në një rast tjetër, Krivaqa u dënua me 4 vjet burgim për grabitje në një kazino.