Vrajolli flet për Periskopin nga arresti shtëpiak, e konfirmon se u arrestua për shkak të Shemsi Sylës
Hetem Vrajolli, ish-shofer i Shemsi Sylës, do të qëndrojë një muaj në arrest shtëpiak. Vrajolli dyshohet se ka kryer veprën penale të Kanosjes ndaj Shemsi Sylës, shkruan Periskopi.
Vrajolli në një deklaratë ekskluzive për Periskopin, thotë se gjendet në shtëpinë e tij.
“Jam në arrest shtëpiak për 30 ditë. Pasi ta kryej arrestin do të flas prapë” – u shpreh ai.
I pyetur nëse arrestimi i tij lidhet me deklaratat për zv/ministrin e Mbrojtjes, Shemsi Syla, Vrajolli tha shkurtimisht: “Po”.
Ndryshe, përfaqësuesi ligjor i Vrajollit, avokati Qëndrim Arifi ka thënë se do të ankohet për këtë masë të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
“Prokuroria ka kërkuar 30 ditë paraburgim. Na kemi kundërshtu sepse seanca ka qenë dje, edhe nuk është aprovuar kërkesa e Prokurorisë, gjykata ka vlerësuar që duhet të ketë masë, edhe e ka caktuar masën e arrestit shtëpiak. Nuk e kam pranuar vendimin në formë të shkruar”, ka thënë Arifi.
Kujtojmë se Vrajolli kishte punuar në Ministrinë e Mbrojtjes si shofer i ministrit Armend Mehaj, e më pas zëvendësministrit Shemsi Syla.
Pushteti i vërsulet ish-shoferit të Shemsi Sylës, e arreston për kërcënim