Votues të Donald Trumpit, më dëgjoni

Votues të Donald Trumpit, më dëgjoni

Është kjo kolumna ime e fundit deri pas zgjedhjeve, kështu që do të doja t’ju drejtohesha njerëzve që ka më së paku gjasa ta lexojnë atë. Votuesve të Donalt Trumpit. Kush e di? Mbase do të kam fat dhe disa prej tyre do ta blejnë peshkun e mbështjellë me faqen e gazetës ku ndodhet kjo kolumne dhe do ta lexojnë pahiri! Në kohë të dëshpërimit nevojiten masa dëshpëuee.

Ndonëse kandidaturën e Trumpit e kam kundërshtuar nga fillimi, kurrë nuk kam folur keq për votuesit e Trumpit. Disa prej tyre janë miq dhe fqinj të mi; që të gjithë janë amerikanë. Shqetësimet e tyre duhet t’i marrim me seriozitet. Por, duhet që edhe prej tyre të kërkojmë seriozitet, që ata ta bëjnë dallimin e qartë midis dy kandidatëve presidencialë.

Po, Hillary Clinton është lidere me të meta – por në mënyrën si shumë presidentë tjerë. Që të gjithë i dimë mangësitë e saj: Ajo e ka dobësi mbajtjen e sekreteve, herë pas here luan me të vërtetën, ka ndihmës që bëjnë bujë në media, si dhe një bashkëshort, të cilit i mungon disiplina, kur bëhet fjalë për fitimin e parave dhe grave. Por, ajo nuk është e papërshtatshme dhe kjo është një gjë e rëndësishme. Po ashtu ajo është këmbëngulëse, u është qasur njerëzve me peshë për secilën çështje, teksa punën e kandidimit për presidente e ka marrë shuumë seriozisht.

Trump jo vetëm që është politikan me të meta, por edhe qenie jo e mirë njerëzore. Ai është mburrur se ka ngacmuar seksualisht gratë – duke nxitur 11 prej tyre që të paraqiten për të dëshmur se ua ka bërë këtë e atë gjë; mbrojtja e tij është se ai nuk kishte mundur që t’i sulmonte ato gra, pasi që nuk ishin mjaft të bukura.

Ai ka krijuar një universitet, që u akuzua se mashtroi studentët e vet. Është akuzuar për diskriminimin e pakicave nëpër pronat e lëshuara me qira. Ai ka pamundësuar zhvillimin e bizneseve të shumta, prej shitësve të pianos, e deri te kontraktuesit e mëdhënj. Ka refuzuar që të zbulojë të dhënat e veta tatimore, pasi që ato zbulojnë se nuk i ka paguar tatime shtetit për shumë vjet, ka raporte të dyshimta me financues të dyshimtë dhe nuk jep për bamirësi aq sa pretenton të japë.

E ka krahasuar sakrificën e prindërve të një ushtari të vrarë në Irak me “sakrificën” e tij të ndërtimit të objekteve shumëkatëshe. Është zotuar se nëse zgjidhet do ta ndjekë penalisht rivalen e tij në fushatë. Kurrë nuk kemi parë sjellje të tilla te një kandidat presidencial.

Në të njëjtën kohë, Trumpi nuk ka shfaqur ndonjë aftësi që çështjet e politikës t’i trajtojë me ndonjë thellësi. Komenti i Harlan Cobenit në natën e debatit kishte të drejtë: “Kur flet për Aleppon, ta jep përshtypjen se po flet një nxënës i klasës së pestë, që duhet ta thotë mësimin që nuk e ka lexuar fare”.

E kuptoj se përse shumë përkrahës të Trumpit e kanë humbur besimin në Washingtonin dhe duan “t’i ndryshojnë gjërat”. Kur i ndryyshon gjërat me një plan të studiuar dhe një ide të qartë se ku do që të mbërrish, mund të hapësh të ardhme të reja. Por, kur i ndryshon gjërat në bazë të ndonjë fjalie dhe pa busull, atëherë mund të shkaktosh jostabilitet të madh.

Por, është një arsye edhe më e rëndësishme se përse përkrahësit e Trumpit, në veçanti të rinjt e bardhë, pa diploma universitare, duhet të jenë të kujdësshëm ndaj asaj që thotë ai: Politikat e tij nuk do t’u ndihmojnë atyre. Trumpi premton që atyre t’ua kthejë vendet e punës. Por shumicën e vendeve të punës ata nuk i humbën shkaku i meksikanëve. I humbën shkaku i mikroçipeve.

Ideja se një numër i madh i punëve në fabrika mund të kthehen në Amerikë, po qe se ngremë një mur me Meksikën apo rinegociojmë marrëveshjet tona tregtare, paraqet një fantazi. Trumpi e shpërfill faktin se prodhimi vazhdon të jetë sektori me i madh i ekonomisë amerikane. Në të vërtetë, fabrikat tona tani prodhojnë dyfishin e asaj që kanë prodhuar më 1984 – por me më pak se një të tretën e punëtorëve.

Trumpi nuk mund ta ndryshojë atë. Makineritë dhe softuerët do të vazhdojnë të gëlltisin dhe të mbyllin vende pune. A keni dëgjuar se kompjuteri i ri i IBM-së, watson, ka ndihmuar në krijimin e një kënge të popit, “Not easy”, me producentin fitues të çmimit “Grammy”, Alex da Kid? Kënga u transmetua më 21 tetor, ka theksuar IBM dhe brenda 48 orëve zuri vendin e katër në listën “Hot Track” të iTunes.

Askush nuk e di me siguri se si do t’i qasemi kësaj gare të re me dhe kundër makinerive, por mund t’ju siguroj se nuk do të bëhet në mënyrën e Trumpit – përmes ndërtimit të mureve, shkrutimeve të mëdha tatimore për të pasurit dhe kufizimeve në tregti.

Gjëja më e mënçur, të cilën mund ta bëjmë tani për tani është që ekonominë ta mbajmë sa më të hapur dhe sa më fleksibile të jetë e mundur- për t’i marrë të parët sinjalet e ndryshimeve dhe për të qenë në gjendje të përshtatemi me shpejtësi; të krijojmë mundësi që secili amerikan të angazhohet në të mësuar që zgjat tërë jetën, pasi që për vendet e reja të punës, qo do të krijohen, do të duhen më shumë njohuri; të sigurojmë që mësimi ta ketë si fokus njerëzimin dhe shkathtësitë njerëzore të ndërveprimit, po aq sa shkencat.

Është kjo e vetmaj rrugë e vërtetë drejt madhështisë amerikanë në shekullin 21. Trumpi dëshiron që Amerikën ta bëjë të madhe në mënyrat që nuk vlejnë më. “Çfarë mund të humbasim” nëse e provojmë këtë mënyrë? Pyet Trumpi. Përgjigja është: gjithçka që na bën shtet të madh. Kur bota zhvillohet aq shpejt, gabimet e vogla në navigim rezultojnë me pasoja të mëdha. Ndonëse Clintoni ka dështuar të inspirojë, instiktet dhe idetë e saj do të vazhdojnë të na shpijnë nëpër rrugën e duhur. Dhe, sado të mëdha të jenë mangësitë e saj, ajo vazhdon të jetë njeri i mirë. Trumpi jo.

Kurrë nuk do të mund të jemi vend i madh me një president me vlera të shtrembëruara, si Donald Trumpi. Lutem, që në fund, të paktën disa prej votuesve të Trumpit, bashkëvendës të mi amerikanë, do ta kuptojnë atë gjë.

Kolumne e gazetës amerikane, “The New York Times”

Shpërndaje në: