Votues që do të duhej të niseshin nga vetëdija dhe formimi politik

Votues që do të duhej të niseshin nga vetëdija dhe formimi politik

Fatkeqësisht as në këto zgjedhje, votuesit e rinj respektivisht gjenerata 18-25 duket se nuk e ka as formësimin, as vetëdijen e as aktivizmin e kërkuar politik përkundër një entuziazmi që po shihet për tu gjendur e atashuar politikisht. Në fakt kjo gjeneratë përbën gjeneratën e shkundjeve të mëdha të 25 vjeçarit, dhe në një masë duhet kuptuar edhe hutinë e tyre. Por ajo çfarë është akoma e vrejtshme tek ta, janë prirjet inerte  nga e kaluara,  kur familja të kaliste me demoralizimie të llojit “qëndro larg politikës e pushtetit” “mos u merr me politikë” etj.

Inercion tjetër që që vlen të përmendet është ai shkollës të kthyer në të shenjtë, duke gëlltitur këtu faktin se edhe i shkolluari mund të jetë i hutuar e i papërcaktuar politikisht. Madje të prek edhe shkallët e prostituimit politik, siç është rasti me Ilir Dedën.  Apo edhe moskuptimi që shkollari edhe po të ketë  përcaktim formal politik, ai mund të jetë krejt i pafuqishëm në ndërrmarësitë e tij. Jo rastësisht ky vend u pri nga një letrar i kthyer brenda nate në politikan.

Mungesa e tutelës shtetërore ka luajtur rol të madh këtu. Këtu edhe qëndron pse edhe pak ajo përçapje për vetëdije e formim politik që ekziston (Lëvizja Vetëvendosje), merret me skepsë meqë oferta identitare dhe identitetbërëse e saj, vjen paksa e vonuar mbi një trup politik të papërqëndruar e papërmbledhur. Në fakt njerëzit këtu duan më shumë identitet se sa ekonomi e art, por hezitojnë meqë fati ka qenë i pamëshirshëm: Një pjesë e 20-30 vjeçarëve kanë rimenduar shpjegimin vendor të botës.

Meqë as Jugosllavinë e as Serbinë si bëm ne, qëndrimet politike varionin që nga klandestiniteti i plotë, tek nënshtrimi i hapur si pasojë e frikës, e tek spiunimi i vullnetshëm. Shembja e Jugosllavisë dhe rigrupimi pas LDK-së shkriu këto ekstreme në një përpjeke defetiste dhe defetizuese për shpëtim.

Tashmë edhe ata që kishin mbajtur burg, por edhe spiunët e hapur shtirreshin se kanë pritjet të njëjta. E nuk ka gjë më pështiracake se sa të vetëgënjehesh në pritje. Kjo meqë pritja mishëron durimtarinë e qëllimit nën opiumin e shpresës. Kur qëllimet e parelizuara mundin durimin, pritja i bishtnon shpresës dhe atashohet tjetërkah.

Kur doli UÇK-ja, pavarësisht fryerjes që i bëhet sot, ajo vështirë se ngërtheu mbi 1-2% të popullatës së përgjithshme. Lufta u bë dhe pjesa më e madhe e popullatës u dëbua ose u fsheh. Në të gjitha formulat nuk do të mund të rezistonte, por pjesa në një masë as që diti e as që u mundua.

E të mos flas këtu që instalimi i protektoratit ndërkombëtar paslufte, por edhe situimi post-pavarësi sot,  i kanë kthyer SHBA-të dhe ambasadat në determinantë të jet(es)ës politike.

Kësodore gjeneratës që i qe rastisur të jetë e rritur me Millosheviq e Rugovë; nën Serbi e UNMIK; me PDK e Hashim Thaç; jo vetëm që i bie të jetë e hutuar nga tërë kjo rrumpallë pushtetesh politike e hegjemonishë sa globale poaq edhe vendore, por edhe se gjen dot veten në realitetin poaq të përmbysur socio-ekonomik: migrimi-fshatqytet i pasluftës.

Vlera kundërthënëse, statuse shoqërore të konflikuara, arsimim i rënuar dhe i kthyer në tyxharllëk,  ligjërim tragjikomik dhe mitik i të kaluarës/historisë, mediatizim i mendimit, teknologjizim e digjitializim i kohës, orientim kah ekstremet e mynyrave të jetesës, mpakje kreativiteti gjithandej.  Sterilizim energjish cep më cep. Gjithëçfarë në botë mund të kishin këto gjenerata, vetëm formim politik e vetëdije jo. Kjo çonte dhe po çon akoma tek ajo që determinon primordialisht një ecajake të keqe: mospyetësimi.

Gjenerata që edhe s’dijnë edhe s’duan të pyesin, si është e mundur që një njeri që i ka dhënë ovacione Azem Vllasit e Kaqusha Jasharit sot da dojë Erdoganin, apo të jetë kthyer në selefist? Çfarë ka ndikuar në një rrumpallë kaq të madhe ontologjike tek ai individ? Më tej si mund edhe t’i thurrë elozhe Erdoganit aty ku e sheh të konvenueshme dhe kundër dikujt, kurse me dike tjetër të njejtin politikan ta sheh si njëfarë autokonspiratori: “vetë tentoi me bo puçin”.

Si është e mundur të vajtosh për Bosnen e Kosovën, e të mbyllësh sytë përballë Sirisë? Madje ta parapëlqesh dikë si Assadi që e ja tejkaluar dhjetëfish Millosheviqin, vetëmpse media e huaj e ngrit më shumë gogolin po aq çnjerëzor ISIS-in dhe vetëmse sistemi assadist përbën diku një kopje të laicizmit francez.

Si është e mundur që edhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të operosh mbi parapëqimet e dala nga dëgjueshmeria dhe besimi i ndërtuar nga relacioni ynë me të huajt. A nuk është kjo mendësi e kolonizuar? Përgjigjuni vetë! I riu që nuk pyetëson mbi këto, në zgjedhejt politike që bën, realisht s’do të dallojë nga shitësi në treg. Nga tyxhari i kapur nga domosdoja e atypëratyshmërisë, levërdisë e cytjes për përfitim personal, pa qarë kokën për diçka më të madhe a idealiste.

Brezi që është mësuar ta durojë padrejtësinë diku, do ta durojë edhe padrejtësinë para derës së vetë. Dhe anasjelltas.

Shpërndaje në: