Votohet sot para Asamblesë së OKB-së, rezoluta për Srebrenicën!
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara voton sot për një propozim-rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë. Debati për të pritet të nisë në orën 16:00. Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.
Mbështetje për të, deri më tash, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska. Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”. Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë. Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg. Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiq, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiq.
Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm. Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës. Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Sërpska, e as Serbia. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë e karakterizoi krimin në Srebrenicë si gjenocid në vitin 2007.
Gjykata konstatoi se Serbia nuk ishte përgjegjëse për aktin e as bashkëpunëtore, por deklaroi se ajo nuk bëri asgjë për ta parandaluar atë./rel