Votat nga diaspora, KQZ vazhdon vlerësimin e pakove me postër

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar me procesin e vlerësimit të pakove me fletëvotime që janë pjesë e votimit jashtë Kosovës, respektivisht votimit përmes postës.
Deri tani janë procesuar 22 mijë kuti zarfe me postë dhe këtij procesi pritet t’i nënshtrohen më shumë se 46 mijë e 600 zarfe apo pako të tjera me fletëvotime.
Sipas procedurave të KQZ-së, pakot me fletëvotime i nënshtrohen procesit të vlerësimit, i cili përfshinë verifikimin nëse ato u takojnë votuesve të regjistruar dhe nëse janë ndjekur procedurat tjera të parapara.
Nga votimi jashtë Kosovës, këto nuk do të jenë votat e vetme që do të numërohen dhe përfshihen në rezultatet përfundimtare. Pjesë e këtyre rezultateve do të bëhen edhe më shumë se 13 mijë e 300 vota nga votimi në përfaqësi diplomatike, i cili u mbajtë më 8 shkurt 2025.
Gjatë periudhës së regjistrimit, nga 104,924 shtetas të regjistruar për votim jashtë Kosovës, pjesa më e madhe e tyre, 84,600, ishin regjistruar për të votuar përmes postës dhe vetëm 20,324 ishin regjistruar për votimin fizik në përfaqësitë diplomatike.
Në rezultate përfundimtare, përveç votave nga vendvotimet e rregullta (2,533) do të përfshihen edhe votat me kusht nga vendvotimet me kusht (56), votat e personave me nevoja të veçanta si dhe votat nga votimi jashtë Kosovës.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, numri i zarfeve me fletëvotimeve nga vendvotimet me kusht është 12,801, të cilat gjithashtu do t’i nënshtrohen verifikimit, i cili përfshin krahasimin me listën e votuesve të nënshkruar në vendvotime të rregullta. Ndërkaq, numri i votave të personave me nevoja të veçanta është: 2,597 vota.