Vonesat në numërim të votave, Krasniqi drejton gishtin nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme

Vonesat në numërim të votave, Krasniqi drejton gishtin nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme

Analisti Albert Krasniqi ka bërë me dije se ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme ka bërë që shumë procese zgjedhore të ngadalësohen.

Ai ka thënë se me kohë ka paralajmëruar që këto gjera do të ndihen.

Në profilin e tij në “Facebook”, Krasniqi ka shkruar se në Kosovë ka një tendencë për të prishur gjëra që kanë funksionuar mirë.

Postimi i tij i plotë:

Në Kosovë ka një tendencë për të prishur gjëra që kanë funksionuar mirë. Këtë e dëshmojnë edhe disa ndryshime në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, për të cilat kishim paralajmëruar me kohë.

1. Numërimi i votave të kandidatëve në qendrat komunale të numërimit, ndaras nga votat e subjekteve politike, jo vetëm që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare, por është edhe një operacion i ndërlikuar zgjedhor për të cilin nuk kemi staf të kualifikuar. Mezi menaxhohej një QNR, e lëre më 38 të tilla nëpër komuna. Ky ndryshim shkakton vonesa dhe rrit tensionet.

2. Rritja e numrit të preferencave për kandidatë nga 5 në 10 nuk përputhet me sjelljet e votuesve. Deri tani, ata mezi përzgjidhnin 4 kandidatë nga lista. Ky ndryshim ka krijuar tollovi në vendvotime, duke zgjatur kohën që votuesi kalon në kabinë dhe duke zvogëluar gjasat që kandidatët lokalë të përfaqësohen në Kuvend.

3. Votimi fizik në përfaqësitë diplomatike është një proces i kushtueshëm, i vështirë për t’u menaxhuar dhe i hapur ndaj keqpërdorimeve. Për numrin e vogël të votuesve që morën pjesë, ky ndryshim nuk ia vlen. Lehtësirat e bëra për votimin me postë në adresat e ambasadave kanë ulur kostot për mërgimtarët, të cilët më parë duhej të përdornin shërbime të shtrenjta postare për të siguruar që vota e tyre të arrinte në kohë në Kosovë.

4. Zëvendësimi i ngjyrës së padukshme, që detektohej me llampë UV, me ngjyrën e dukshme jo vetëm që nuk funksionoi mirë, por gjithashtu rrit rrezikun për presion ndaj votuesve, të cilët mund të detyrohen të votojnë ose të mos votojnë sipas kërkesave të dikujt tjetër.

5. Heqja e heshtjes zgjedhore. Edhe pse ka vende që nuk e zbatojnë këtë praktikë, heshtja zgjedhore i jepte votuesve hapësirën e nevojshme për të reflektuar qetësisht para ditës së votimit.

Shpërndaje në: