Von Der Leyen mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

Von Der Leyen mirëpret marrëveshjen për CEFTA: Është hap drejt normalizimit

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mirëpritur zhbllokimin e vendimmarrjes në CEFTA dhe avancimin e statusit të përfaqësimit të Kosovës në këtë mekanizëm rajonal të bashkëpunimit.

Pas samitit të Procesit të Berlinit, Von der Leyen përmendi edhe largimin e kufizimeve për hyrjen në Kosovë të mallrave serbe.

Ajo tha se këto veprime janë të dobishme për normalizim në Ballkanin Perëndimor.

Krahas kësaj, duke folur për Planin e Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, ajo tha se pesë nga gjashtë agjendat e reformave të miratuara të vendeve të rajonit do të adaptohen këtë javë nga BE-ja.

Ajo tha se pagesat e para të pakos prej 6 miliardë eurove do të bëhen para përfundimit të vitit.

Ndryshe, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, në adresimin e tij në samitin e Procesit të Berlinit ka paralajmëruar edhe për rritjen e ndikimit të Kinës në rajon, duke përmendur nënshkrimin e marrëveshjes për tregti të lirë mes Kinës e Serbisë.

“Lidhshmëria është e domosdoshme për Procesin e Berlinit, por duhet të ruhemi nga ndikimi i huaj, veçanërisht nga Kina, e cila ka investuar thellë në fqinjin tonë verior, duke nënshkruar Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë dhe një zotim për një të ardhme të përbashkët me Kinën. BE-ja duhet të sigurohet që fondet e BE-së janë të lidhura me vlerat e BE-së – është Procesi i Berlinit ai që e afron rajonin tonë me BE-në, jo “Procesi i Pekinit”, i cili çon drejt BRICS-it”, ka deklaruar Kurti.

“Kosova ka qenë dhe do të jetë një zë i arsyeshëm dhe një flamurtar në këtë Proces, por nuk duhet të qëndrojmë të vetëm në shtyrjen përpara dhe mbrojtjen e vlerave themelore të BE-së”, ka shtuar Kurti.

Shpërndaje në: