Volker: Perëndimi forcon Vuçiqin, teksa minon të tjerët në Ballkan
“Ne, vazhdimisht, themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. [Presidenti i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Kurt Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO.
“Kjo është ajo që SHBA-ja dhe Franca thonë se është politikë e tyre – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim. Nën Vuçiqin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur [presidentin e Republikës Sërpska] Millorad Dodik dhe për të minuar Bosnje e Hercegovinën…”, thotë Volker.
Sipas tij, Perëndimi është duke u angazhuar më shumë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, teksa ngadalë është duke humbur Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
“Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Vuçiq nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor”, thotë Volker.
Radio Evropa e Lirë: A është marrëveshja e Serbisë me Francën për blerjen e avionëve luftarakë francezë “Rafale” një kthesë strategjike e Beogradit, apo një marrëveshje e zakonshme tregtare?
Kurt Volker: Le të fillojmë nga ana franceze. Nëse Franca mund të shesë aeroplanë, ajo do ta bëjë këtë. Prandaj, nuk është politikisht e rëndësishme për Francën. Ajo e sheh nga pikëpamja e biznesit. Asaj i pëlqen ideja që njerëzit të blejnë avionë Rafale. Pra, është thjesht biznes.
Nga ana serbe, ka disa gjëra në lojë. Mendoj se Vuçiq, në thelb, po përpiqet ta shndërrojë Serbinë – le të themi – në një Rusi në Ballkan. Kështu, ta bëjë një komb dominues në mesin e të tjerëve në Ballkanin Perëndimor, që luan me kartën e minoritetit serb në vende të tjera, duke u mbështetur në masë të madhe te Rusia, burimet e saj energjetike, Kisha Ortodokse Ruse…
Megjithatë, ajo ende përpiqet të ruajë një farë lirie dhe pavarësie. Pra, disa kontrata dhe marrëdhënie me vende të tjera e ndihmojnë Vuçiqin në marrëdhëniet me Rusinë. Ato e ndihmojnë, gjithashtu, që ta portretizojë Serbinë si më të orientuar drejt reformave sesa është në të vërtetë.
Radio Evropa e Lirë: Ju thatë se për palën franceze është vetëm një marrëveshje biznesi. Por, është edhe interes strategjik i Francës që ta distancojë Serbinë nga Rusia përmes zgjerimit të BE-së…
Kurt Volker: Kështu thonë të gjithë. Kjo është ajo që SHBA-ja thotë se është politikë e saj. Kjo është ajo që Franca thotë se është politikë e saj – ne duhet ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Por, ta arrish këtë duke forcuar personin që ruan marrëdhëniet midis Rusisë dhe Serbisë, duket se nuk ka shumë kuptim.
Nën Vuçiqin, kemi parë forcimin e nacionalizmit serb, përpjekje për të minuar Malin e Zi, për të mbështetur Millorad Dodikun, për të minuar Bosnje e Hercegovinën dhe për të ndryshuar Qeverinë në Maqedoninë e Veriut, e cila është më pak proevropiane.
Të gjitha këto janë gjëra, në të cilat Vuçiq luan një rol të madh në prapaskenë, e të cilat shkojnë në favor të nacionalizmit serb. Edhe me Perëndimin luan duke thënë: mirë, e dini, unë duhet të bashkëpunoj me Rusinë, por premtoj se do të vendos sanksione ndaj Rusisë. Ai e luan këtë lojë.
Radio Evropa e Lirë: Por, ka shumë dëshmi se ndikimi i Rusisë në Serbi, në fakt, po zvogëlohet. Gjeografikisht, midis Rusisë dhe Serbisë ka shumë vende që janë anëtare të NATO-s. Kështu që tani është madje e pamundur që armët ruse të dorëzohen në Serbi.
Së dyti, Serbia nuk është më e varur nga gazi rus, sepse nuk mund ta importojë atë nga Rusia, marrë parasysh situatën aktuale.
Dhe, së treti, nëse i shikoni shifrat, shkëmbimi ekonomik midis Rusisë dhe Serbisë është vetëm disa për qind, ndërsa me BE-në është pothuajse 70 për qind. Kjo do të thotë se Serbia është ekonomikisht shumë e varur nga Bashkimi Evropian.
Kurt Volker: Është e vërtetë se Serbia është e varur kryesisht nga BE-ja sa i përket ekonomisë. Por, ajo ka ende një marrëdhënie shumë më të ngushtë me Rusinë sesa thatë ju. Merreni gazin rus, për shembull. Nuk ka dyshim se gazi rus arrin në Serbi.
Radio Evropa e Lirë: Një pjesë e gazit. Jo 100 për qind siç ka qenë më parë.
Kurt Volker: Jo 100 për qind, por ende bëhet fjalë për sasi serioze. Unë supozoj se 60 deri në 70 për qind e gazit rus ende arrin në Serbi, që është domethënëse.
Ndikimi i Kishës Ortodokse Ruse në Kishën Ortodokse Serbe është tepër i fortë. Dhe, mënyra se si Rusia mund ta ndihmojë Serbinë për të luajtur rolin e një faktori përçarës në Ballkan, është me të vërtetë e çuditshme. Kështu që unë mendoj se Rusia ka ndikim të madh në Serbi dhe se Vuçiq po e përdor atë si atu në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara.
Dhe, siç e thashë, ne vazhdimisht themi se po përpiqemi ta ndajmë Serbinë nga Rusia. Vuçiq pretendon se edhe ai e do këtë, por se i duhet më shumë kohë dhe hapësirë, andaj luan në të dyja anët.
Radio Evropa e Lirë: Ju keni qenë edhe i dërguar i SHBA-së në Ukrainë. Keni thënë se Serbia i shet Ukrainës granata dhe municione të tjera – sipas disa vlerësimeve – me vlerë 800 milionë euro. Kjo është një e treta e sasisë totale të granatave që Evropa i dërgon Ukrainës. Si përshtatet e gjithë kjo në këtë peizazh?
Kurt Volker: Mendoj se këtu bëhet fjalë më shumë për interesin e Vuçiqit. Ato janë granata të vjetra. Nuk janë prodhuar së voni dhe Serbia mund t’i shesë. Është pjesë e përpjekjeve për të luajtur nga të dyja anët, për të ruajtur rolin e Vuçiqit në Ballkan dhe të Serbisë si fuqi e madhe.
Le të jenë SHBA-ja dhe BE-ja të lumtura, por jo plotësisht të lumtura. Serbia vazhdon të ketë marrëdhënie të veçanta me Rusinë, por nganjëherë devijon prej tyre.
Perëndimi merret më shumë me Vuçiqin sesa me promovimin e demokracisë në pjesën tjetër të Ballkanit
Radio Evropa e Lirë: Kur bëhet fjalë për anëtarësimin në BE, në Serbi janë mbajtur së voni zgjedhjet. Për parregullsitë në to ka pasur shumë prova. BE-ja, fillimisht, ishte shumë kritike. Por, më vonë, për shkak të kësaj marrëveshjeje për avionët Rafale, dhe më herët për litiumin, kjo çështje duket se është futur nën tepih.
Shumë njerëz që po protestojnë tani në Serbi, janë disi të zhgënjyer me këtë qasje të BE-së. A është politikë e gabuar?
Kurt Volker: Po, unë mendoj kështu. [Presidenti i Francës, Emmanuel] Macron do që të shesë avionë, nëse mund ta bëjë një gjë të tillë. Dhe, kjo do të ndikojë në zvogëlimin e çdo pushteti apo ndikimi politik. Nëse Macron e bën shitjen, ai nuk do të angazhohet shumë për çështje të tjera. Unë mendoj se po shohim një trend shumë të keq në Ballkan.
Duket se po angazhohemi më shumë rreth Vuçiqit, ndërkohë që po humbasim nga pak Bosnje e Hercegovinën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Bullgaria është në një gjendje të tmerrshme.
Ekziston një shprehje në SHBA, që ne shpenzojmë më shumë kohë për armiqtë sesa për miqtë. Unë mendoj se BE-ja është disi fajtore për këtë në Ballkan. Vuçiq nuk është armik, por ne shpenzojmë më shumë kohë duke u marrë me marrëdhëniet me të, sesa duke promovuar vlerat demokratike, institucionet dhe reformatorët në pjesën tjetër të Ballkanit Perëndimor.
Radio Evropa e Lirë: Pra, Vuçiq është si Titoja, luan me shumë karta. Titoja ka luajtur kartën e Lindjes, Perëndimit, Lëvizjes së të Paangazhuarve. Vuçiq po luan me gjashtë apo shtatë karta që janë, nëse jo armiqësore, atëherë mjaft të kundërta… pra, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa në njërën anë dhe Kina dhe Rusia në anën tjetër. Për sa kohë mund ta vazhdojë Vuçiq këtë lojë?
Kurt Volker: Mendoj se Vuçiq nuk e ka një pikë përfundimtare në mendje. Për dikë në pozicionin e tij, është si të ngasësh një biçikletë. Ai duhet të vazhdojë kështu përgjithmonë. Dhe ky është një synim më vete, vetëm të jesh në pushtet.
Radio Evropa e Lirë: Por, kjo vjen me shumë pasiguri dhe rrezik…
Kurt Volker: Po, nëse nuk jeni në pushtet, atëherë jeni të sigurt që nuk jeni në pushtet.
Radio Evropa e Lirë: Kalojmë te situata gjeopolitike globale. Ditëve të fundit kemi qenë dëshmitarë të ofensivës së Ukrainës në rajonin e Kurskut në Rusi, por edhe të avancimit të forcave ruse drejt Pokrovskut.
A do të përfundojë kjo luftë me një lloj armëpushimi të përkohshëm, në një lloj konflikti të ngrirë, do të shndërrohet në një luftë të tretë botërore, apo Rusia do të përpiqet ta përhapë luftën përtej kufijve të Ukrainës?
Kurt Volker: Dëshira e Putinit për ta rindërtuar perandorinë ruse ka çuar në luftë. Ai ka vendosur ta pushtojë Ukrainën dhe të marrë territore. Ai beson se nëse e kontrollon të gjithë Ukrainën dhe e eliminon identitetin kombëtar ukrainas, Rusia do të kthehet si një perandori. Kështu që Putin do të vazhdojë ta bëjë këtë dhe do të përpiqet ta arrijë atë vizion nëse nuk ndalohet.
Nëse ai ka sukses në Ukrainë, ai do të ketë shumë pjesë të perandorisë ruse për të rimarrë, përfshirë shtetet baltike, Korridorin Kovalski, ndoshta disa pjesë të Polonisë, Gjeorgjisë, Moldavisë. Thjesht, oreksi i tij nuk ka fund, ai e do gjithë perandorinë.
Por, nëse ndalohet fizikisht, ai nuk do të jetë në gjendje të përparojë. Nëse mbetet pa forca, ai do të duhet të pranojë një pazar. Në atë rast mund të imagjinoni një lloj të negociatave, një lloj të pushtimit rus të pjesëve të Ukrainës, por jo të pjesëve të tjera, një armëpushim të përhershëm, hyrjen e Ukrainës në BE dhe NATO… Kjo do t’i jepte fund konfliktit.
Putin nuk është gati për një marrëveshje të tillë. Ukraina nuk dëshiron të heqë dorë nga asnjë pjesë e territorit të saj, por, në fund, mund t’i duhet, nëse fiton anëtarësimin në NATO dhe siguron stabilitet më pas.
Tani, nuk mund t’i shohim kornizat se si do të dukej kjo. Nuk janë krijuar ende kushtet për një marrëveshje të tillë.
Për të pasur kushte për këtë, Putin duhet të kuptojë se ai nuk mund të fitojë dhe se sa më shumë që përpiqet ta bëjë këtë, ai vetëm se do ta dobësojë edhe më shumë Rusinë. Kjo është pika ku mund të zhvillohen negociatat.
Radio Evropa e Lirë: Ju thatë nëse ndalet… a ka mundësi të ndalet në kuptimin ushtarak? Dhe, po ashtu, thatë se Ukraina duhet të kuptojë se disa territore duhet të pushtohen përkohësisht – nëse e kuptova mirë…
Kurt Volker: Po, të pushtuara përkohësisht.
Radio Evropa e Lirë: Por, a do të ishte Putin gati ta pranonte këtë? Dhe, në anën tjetër, ekziston një rrezik – siç ka bërë me Gjeorgjinë në vitin 2008, gjashtë vjet më vonë ka aneksuar Krimenë dhe tetë vjet pas kësaj ka pushtuar Ukrainën në shkallë të plotë – që ai ta shfrytëzojë armëpushimin e përkohshëm për t’u rikuperuar…
Kurt Volker: Kjo është pikërisht ajo që ai do të bëjë. Nuk kam asnjë dyshim për këtë. Por, unë mendoj se do të ketë presion nga bota, Perëndimi, gjithashtu nga Ukraina, për të bërë një marrëveshje dhe për të parë nëse ajo mund të bëhet ndryshe nga ato të mëparshmet.
Ajo që me të vërtetë do ta dallonte atë marrëveshje, do të ishte anëtarësimi i Ukrainës në NATO dhe në BE.
Kjo do t’i ndryshonte gjërat edhe nëse Putin do t’i rindërtonte forcat e tij të armatosura dhe do të ishte sërish gati të sulmonte.
Radio Evropa e Lirë: A mund ta pranojë Putin anëtarësimin e Ukrainës në NATO?
Kurt Volker: Një ditë, po. Nëse forcat e tij mposhten dhe ai nuk mund të bëjë asgjë, atëherë ai do të duhej të pranonte një lloj zgjidhjeje.
Dhe, BE-ja dhe NATO-ja do të shkojnë përpara dhe do të thonë: nuk do të lejojmë që kjo të ndodhë më. Ne do ta sjellim Ukrainën në NATO dhe BE.