Vlora Çitaku – nga refugjate në nji kukull korrupsioni

Vlora Çitaku – nga refugjate në nji kukull korrupsioni

Ambasadorja e Kosovës në ShBA u ba temë debati në Kosovë. Do feministë kosovarë, e pëlqyen dhe e mbështetën rrëfimin e saj prej nji gjynahu që ka arritë diçka në jetë. Tu qenë gru – domethanë sipas pikëvrojtimit të tyne – dhe si e tillë, viktimë, ajo arriti me u ba politikane me nam dhe ambasadore.

Unë nuk e shoh gruen si viktimë. Nëse ajo asht e shtypun, në cilëndo rrethanë koftë, ky asht rezultat i zgjedhjeve të saj. Tjetër: unë nuk harroj që zani i kësaj “ish-refugjateje” u dëgju në skandalin “Pronto”. Ajo ishte dhe asht pjesë e nji grupi njerëzish që kanë grabitë çkado që iu ka ra n’dorë. Kosova asht vend skajshëm i varfun, prej të cilit qytetarët e saj ikin si prej dreqit, dhe këtu faj ka “viktima” e naltpërmendun. Mënyra sesi pushtetojnë këto “ish-viktima” me neve u dëftu e u vizatu nga këto përgjime. Hajt, nuk i lexojmë raportet ndërkombëtare që flasin për shkallën e naltë të korrupsionit dhe nuk e kuptojmë ngecjen ekonomike e skamjen – por vesh kemi me i dëgju ato fëlliqsina. Vlora nuk ishte kritike e këtij zullumi por pjesë e krijimit të tij.

Me pikëvrojtimin vet-viktimizues, me ndërtimin e fantazmës së gjynahut, mun me folë edhe Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Isa Mustafa, Alma Lama e shumë tjerë.

Qe pse, e gjithë kjo punë asht poshtërsi tjetër nga ky pushtet. Ne ishim refugjatë, të përndjekun, të burgosun, të shtypun – e tash jemi politikanë, ambasadorë, shefa të shefave.

Ky asht mashtrim. Vlora Çitaku asht mashtruese. E vërtetë që nëse matet me standardet e shoqnisë kosovare ajo del e mençme, e biles, superfemën. Por, ajo asht dështake. Dështak asht secili që qëndroi përfundi nji injoranti si Hashim Thaçi. Vlora Çitaku pra, asht kukull e nji sistemi korruptiv e të padijshëm. Jo ma shumë se kaq. Ambasadore asht edhe Alma Lama, por kjo dihet qysh erdh në atë pozitë: tu ia siguru postin e Presidentit, nji personi të cilin e shante ashpër.

Me qenë pjesë e këtij pushteti dhe mos me qenë i korruptuem asht e pamundun. Vlora, asht e tillë. Nuk ka nevojë për shumë imagjinatë. Ajo asht shembulli i nji grueje të konformueme, i nji konfomisteje që nuk i prekë vlerat korruptive (kujto telefonatën me Grabovcin) por operon me to.

Vlora asht kukull e nji pushteti të shëmtuem politik. Dhe si e tillë, nuk meriton konsideratë ma t’madhe se ish-shefët e saj, Veseli e Thaçi dhe bashkëpuntori Grabovci. Fundja, pse duhet me gjyku ndryshe Vlora Çitakin e ndryshe Adem Grabovcin? Nuk ka ndonji arsye.

As korrupsioni nuk duhet me u gjyku në baza gjinore. Nuk ka burra e gra – ka të korruptuem.

Pra, jo veç për mundësi të barabarta por edhe për gjykime të barabarta.

Shpërndaje në: