Vllasi: Vuçiqi ishte qesharak, po tenton ta zhvendos vëmendjen nga problemet që ka Serbia

Vllasi: Vuçiqi ishte qesharak, po tenton ta zhvendos vëmendjen nga problemet që ka Serbia

Analisti Azem Vllasi ka komentuar kërkesat e presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se konferenca e djeshme e presidentit serb kishte për qëllim zhvendosjen e vëmendjes nga problemet e brendshme që ka Serbia.

Në një intervistë për Klan Kosova, Vllasi ka vlerësuar se Vuçiq foli vetëm për serbët në veri.

“Unë mendoj se kjo paraqitje kishte për qëllim kryesor që ta ç’vendos vëmendjen nga problemet që i kanë në Serbi, sepse një masë e madhe e popullatës në Serbi është duke reaguar ashpër kundër synimit të pushtetit që të gropojë për litium atje. Ky përqendrohet vetëm në pjesën veriore të Kosovës, dhe kinse në pozitën e vështirë të serbëve, Sa i përket vajtimit të pozitës së serbëve në veriun e Kosovës, kjo absolutisht i përngjan propagandës para 36/7 viteve. Por interesant, nuk e tha asnjë fjalë për serbët në pjesët e tjera të Kosovës, në gjashtë komunat që janë me shumicë serbe”, është shprehur ai.

Sipas tij, paraqitja e presidenti serb ishte qesharake.

“Dhe çfarë ishte më qesharakja në ato kërkesa të tij, ai në të vërtetë thërret për korrigjimin e gabimeve të tij trashanike që i bëri para një viti. Kërkon që atje të kthehet një kontingjent i serbëve, ai pati kërkuar që serbët në veri të tërhiqen dhe t’i dorëzojnë uniformat”, ka vlerësuar Vllasi.

Shpërndaje në: