Vjosa Osmani ngre alarmin: Të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të mbrojë integritetin e procesit zgjedhor, pas njoftimit për dështim të softuerit për publikim të votave online.
“Presidentja e Republikës së Kosovës përgëzon qytetarët që, edhe në këtë proces zgjedhor, treguan kulturë të lartë demokratike. Ajo ka shprehur pritshmërinë që KQZ-ja do të përfundojë me sukses numërimin e votave brenda mbrëmjes së sotme. Megjithatë, pas dështimit të softuerit, informacion ky i konfirmuar nga KQZ-ja, Presidentja ka kërkuar që të mbrohet integriteti i procesit zgjedhor, duke siguruar që çdo votë të numërohet saktë”, thuhet në një deklaratë të presidentes në faqen e Presidencës në Facebook.
Deklarata vazhdon duke thënë se presidentja do të jetë në kontakt me institucionet deri në sigurimin e plotë që i gjithë procesi, përfshirë numërimin dhe publikimin e rezultateve, të zhvillohet në përputhje me standardet demokratike dhe në përputhje me vullnetin qytetar.