Vjosa Osmani: Draft-Statuti i BE-së për Asociacionin në shpërputhje me Kushtetutën

Presidentja Vjosa Osmani tha se takimi që ka zhvilluar me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, ka qenë më shumë njoftues për qëndrimet e palës kosovare.
Ajo tha se në detaje ia kanë prezantuar vërejtjet sa i përket draft-statutit të propozuar nga BE për Asociacionin, transmeton Periskopi.
“Më shumë u njoftua rreth qëndrimeve tona sesa që morëm qëndrime nga ana e tij dhe kjo është krejtësisht normale sepse është fillimi i mandatit”, tha Osmani, derisa shtoi se këto diskutime të vazhdojnë edhe më tej.
Ajo më pas tha se draft-statuti aktual për Asociacionin s’e kalon testin e Gjykatës Kushtetuese meqë s’është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.
“Po flasim për çështjen e draft-statutin e BE-së që unë personalisht besoj që nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk janë në përputhje as me vlerat dhe normat e BE-së dhe standardet e Këshillit të Europës pastaj dhe po ashtu nuk janë në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të 2015-ës”.
“Një draft-statut i tillë që bie ndesh me këto të tria s’ka si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj që do të mund të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese, e cila që tashmë ka vendosur standarde për shumë nga këto tema të vendosura brenda draft-statutit siç janë kompetencat ekzekutive të Asociacionit e shumë çështje të tjera”.
“Pra, ishte më shumë takim njoftues rreth qëndrimeve tona jo vetëm për draft-statutin, por edhe për procesin e dialogut në përgjithësi”.
Osmani tha se në procesin e dialogut deri më tani s’u trajtua parimi i barazisë mes palëve.
“Ka qenë një proces i njëanshëm që e ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e procesit. Tani me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë shumë kjo balancë dhe kjo barazi të rikthehet në tavolinë sepse do t’i ndihmonte edhe vetë kredibilitetit të procesit, si rrjedhojë shpresoj që të ketë rezultate më pozitive”.