Vit i brishtë për Kadri Veselin –  sërish në bisht të ngjarjeve

Periskopi Editoriale

Kur dikur flitej për Kadri Veselin, emri i tij sinonimizohej me misticizëm, një figurë që po ta kërkoje në Google, deri vonë s’mund të gjendej kollaj. Këtë figurë mistike ia kishte krijuar e kaluara e tij që lidhej me ShIK’un. Paralel me të ‘panjohurin’ Kadri– në publik diheshin edhe ‘të njohurat’ për Veselin: ai ishte njeri i ‘nëntokës’ (njeri i fuqishëm).

Kështu perceptohej figura  e tij dikur. Prej kafeneve të Prishtinës e deri korridoreve të partive politike.

Çka ndodhi që Kadri Veseli nuk arriti ta trashëgojë edhe në ‘mbitokë’ hijerëndësinë dhe fuqinë e tij personale – mistike ta shndërronte edhe në fuqi politike – publike?

Nëse sheh një kronologji politike të Veselit që prej kur është kyçur në politikë (zyrtarisht), ai ka pasur vetëm një post dhe nuk largohet dot prej tij: atë të Kryeparlamentarit.

Ku i shkoi keq Veselit? I njohur për kabinetin e tij të mbushur me figura të ndryshme: disa gazetarë, filozofë, etjerë, të cilët – sipas raporteve financiare- edhe paguhen majmë, duket se fillimisht këtu ia huqi Veseli. Pra, rreth vetes ka mbledhur njerëz, jo të duhur, në plotkuptimin e fjalës: që nuk i duhen.

Si mund të shpjegohet ndryshe kjo, kur nga një figurë, të paktën e perceptuar si ‘e fuqishme’, ‘me ndikim’, këta djem e pak vajza të kabinetit të tij, kanë krijuar një figurë të papeshë politike. Ose raste –raste që peshon shumë lehtë. Mendohuni pak,  kur ka reaguar kryetari i PDK-së dhe kryeparlamemtari Veseli, për diçka që ka ndodhur në Kosovë – i pari? Asnjëherë. Pra, duket se dikush ka gabuar në krijimin e ‘Kadri Veselit politik’. Diçka ka shkuar keq gjatë këtij operacioni.

Për të mos përmendur gjerë e gjatë telashet nëpër degë të ndryshme të PDK-së, e sidomos në bastionin e saj në Skënderaj, ia vlen të thuhet vetëm kjo edhe një herë: që nën drejtimin e Veselit, PDK nuk ka pasur post më të madh përveç Kryeparlamentarit.

Veseli, gjatë vitit 2018, ka bërë vetëm disa vizita nëpër shtete të ndryshme të Evropës, të cilat i arsyetonte si ‘vizita lobuese për vizat’. Por vizat në fund nuk na u hoqën. Gjithashtu, Veseli, që prej kur u hodh ideja për kufijtë në dialogun me Serbinë, vazhdimisht qëndroi ‘mes dy zjarresh’. Tek Veseli, vërehej një paqartësi se cili ishte qëndrimi i PDK-së karshi idesë më të përfolur të vitit. Pra, në njërën anë, ai vazhdimisht bënte thirrje për ‘t’u bashkuar në dialogun me Serbinë’ e në anën tjetër i shmangej përgjigjes në pyetjen: A do ta votonte PDK një marrëveshje që Kosovës do t’ia ndryshonte kufijtë.

Kujtojmë edhe përpjekjen e Veselit për ta pastruar PDK-në nga ‘njerëzit e Thaçit’ e cila kulmoi në vitin 2018, me ngritjen e aktakuzës në rastin ‘Pronto’.

Përpjekjet e Veselit për ta krijuar një PDK urbane – në qendër, dëshmuan se ishin hap i keq në PDK’në rurale – jashtë Prishtinës.

Këtë gabim e bën zakonisht PDK-ja e Veselit. Bën shpesh tentativë për ta bërë ‘cool’ PDK’në në Prishtinë, ndërkohë që merr fatura të shtrenjta nga kullat nëpër Drenicë.

Zgjedhjet e shpejt-e-shpejta parlamentare ku Veseli u detyrua ta bënte një listë të stër-përgjysmuar me emra nga PDK- ja, për shkak të koalicionin PAN, treguan se Veseli megjithatë e nuhati se pa ‘anën rurale të PDK-së’ zgjedhjet nuk fitoheshin lehtë dhe figurat qendrore të trashëguara nga PDK-ja e Thaçit, nuk ishte lehtë t’i fshije me fshesë.

Me pak fjalë: Ata që kanë tentuar ta krijojnë një ‘Kadri Vesel’ stabil dhe që qëndron, e kanë krijuar një figurë politike, e cila vonon. Tashmë jemi mësuar: kur në vend ndodh diçka e madhe, Kadri Veseli qesh i fundit. Ama qesh, për të keq. Vonohet. I karakterizuar me një fjalor të varfër politik,  Kadri Veseli përmbylli vitin edhe një herë në stilin e tij të njohur, duke akuzuar LDK-në dhe VV-në për mosbashkëpunim dhe duke përsëritur frazën e shpeshtë të tij: të bëhemi bashkërisht bashkë.

Deri në cilin vit Kadri Veseli do të jetë politikani që të tjerët nuk i luten për diçka, por ky i lutë?

 

Shpërndaje në: