Visar Azemi: Mobilizimi ynë në terren është krejt ndryshe krahasuar me katër vjet më parë
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Vizar Azemi, ka kritikuar ashpër Kryeministrin Albin Kurti për përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe, sipas tij, përpjekjeve për të polarizuar shoqërinë.
Azemi theksoi në “Debat Plus” se kjo qasje është një strategji e qëllimshme e kryeministrit për të provokuar kundërshtarët politikë dhe për t’i përfshirë ata në një debat të sharjeve dhe fyerjeve.
“Ky me qëllim i ka hy kësaj rruge, me shpërfaq një gjuhë të urrejtjes dhe polarizim skajshëm me idenë ose besimin që ne do të futemi në lojën e tij dhe do të merremi me sharjet dhe fyerjet e tij, por jo – terreni po na thotë diçka tjetër.” – tha ai.
Sipas tij, LDK-ja po gëzon mbështetje gjithnjë e më të fuqishme ndërsa vendi i afrohet zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Ai vlerësoi lartë punën e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku, të cilin e quajti kandidatin më të përshtatshëm për postin e kryeministrit të vendit.
“Mobilizimi ynë në terren është krejt ndryshe krahasuar me para katër viteve. Struktura jonë ka entuziazëm krejt tjetër, dhe kjo falë një kryetari të partisë i cili është kandidati më i përsosur për kryeministër të vendit, zoti Lumir Abdixhiku. Që dy vite jemi duke u marrë me program, i kemi vendosur të gjitha problemet që mund t’i kenë qytetarët e Kosovës për t’iu dhënë zgjidhje.” – tha ai.