Virusi i ‘bërllokut’ infekton edhe këta që bënin muzikë të mirë, ia futë kot edhe Buta

Virusi i ‘bërllokut’ infekton edhe këta që bënin muzikë të mirë, ia futë kot edhe Buta

Vera e bërllokut për një arsye…

Muzika dhe materialit dinjitoze nga estrada e Kosovës kanë qenë të rralla këtë verë, por jo që edhe verave të tjera kemi pasur shumë arsye për të qenë të ngazëllyer, shkruan Periskopi.

Sidoqoftë, ndoshta aspekti më dëshpërues deri tash është se kemi filluar të dëgjojmë këngë të këqija edhe nga ata që deri sot e kanë ruajtur sado pak veten nga degradimi artistik dhe janë munduar të jenë autentikë në ato që bëjnë.

Në vend se këta artistë, që dikur bënin muzikë dinjitoze, të imponoheshin dhe të ndikonin tek ata artistë që sjellnin dhe po sjellin muzikë bërllok, ka ndodhur krejt e kundërta.

Karantina e gjatë dhe e lodhshme ka lënë efekte psikologjike te të gjithë, është shumë mirë e evidentuar kjo.

Do të faleshit nëse do të mendonit se, ta zëmë, një artist do ta shfrytëzonte këtë periudhë të sillte projekte më substanciale, spirituale dhe me mesazhe të fuqishme pas kaq shumë vuajtjeve – diçka me të cilën padyshim se masa do të mund të mishërohej – ka ndodhur krejt e kundërta, pasi duket se euforia për të qenë relevantë nëpër klube nate, i ka mposhtur të gjithë.

Asnjë artist nuk e respekton masën, nuk mundohet t’i qëndrojë pranë dhe ta respektojë pa ia fyer intelegjencën. Për shumicën prej nesh jeta nuk është ‘party’.

Në fakt, një pjesë të audiencës vetëm sa e bëjnë të ndihen edhe më inferiorë vargjet si ‘sa jom n’Paris, sa jom n’Milano’. Imagjinoni, këto janë gjërat që i dëgjojmë më së shpeshti në një estradë që përfaqëson popullin më të izoluar në Evropë.

Ne (duke e llogaritur veten tonë si pjesë e popullatës së rëndomtë), konsiderohemi tamam si injorantë dhe të pa edukuar në aspektin artistik dhe kjo është pjesa më e rëndë dhe më e trishtë e krejt këtij debakli artistik.

E kuptojmë që muzika për klube nate është shumë e nevojshme, por të bëhet muzikë për të gjitha klubet e natës, jo vetëm për Rinora 4, apo ndonjë klub diku në Evropë ku ka shqiptarë që e dëshirojnë një pjesë nga ajo tortja e t’u dukurit p*dhnane me një kovë vodka dhe redbulls, teksa shikohen shtrembër me meshkuj të tjerë.

Shumë prej neve nuk na impresionojnë ato gjëra, as vajzat gjysmë të zhveshura nëpër klipe e as veturat e shtrenjta, të cilat vendosin standarde jo reale të jetës luksoze, të cilën as vetë nuk e bëjnë.

Buta është prej atyre artistëve që deri diku ka pasur intuitën e të qenurit i distancuar me ato që sjellin pjesa tjetër e estradës, pasi është ndër të vetmit që mundohej t’i qëndronte besnik audiencës fanatike të cilën e kishte kthyer nga vetja sa ishte pjesë e Ham Squad, me mixtapes si ‘Pllug Bois’, ‘Dr Zhivago’, duke e cementuar më tutje veten si artisti më unik me projektet si ‘Pranverë Verë’ dhe ‘Vjeshtë Dimër’, e deri te ky i fundit ‘Babayega EP’.

Sidoqoftë, edhe ai ka dhënë aty-këtu shenja se ka mundësi të ndryshojë qasje dhe të dalë përtej asaj çka përfaqëson… më së shumti në projektin ‘My Bro’ në bashkëpunim me Gjikon. Ajo ishte shija e parë e bërllokut që na kishte dhënë Buta për të vazhduar pastaj me ‘Merri, Merri’, por tash ai mund ta ketë përsëritur atë që të gjithë i jemi frikësuar.

Klipi i tij i fundit, ‘Posht/Nalt’, është thjesht i thatë dhe nuk ka asnjë vlerë për ‘replay’.

Është klishe e pastër e asaj që kemi dëgjuar vazhdimisht këtë verë, teksa vargjet janë ‘flex’ nënshalant, jo i punuar e menduar mirë.

Refrenin krejtësisht të pa përpjekur ‘ulu poshtë, preke tokën me b*thë, çohu naltë, tani ulu prapë poshtë’ do të mundoheshim ta arsyetonim, nëse versat tutje do të kishin ato vargjet e thjeshta por jashtëzakonisht me peshë siç i kemi parë te Buta në projektet e mëhershme.

Krejt çka dëgjojmë për 2 minuta e 56 sekonda është shitje mendësh në versionin e keq.

‘C’mon’ njeri, vërtetë do të fillosh edhe ti të bësh gjëra të tilla?

Vetëm dëgjoni këngën më poshtë, nëse nuk e keni dëgjuar deri tash, dhe na tregoni nëse dëgjuat diçka që ju impresionoi në ndonjë pjesë diku?

Ndoshta, gjëja e vetme pozitive në këtë projekt është ‘beati’, i cili të godet fuqishëm, por ajo që thuhet mbi të është thjesht e dobët. /Periskopi.com/

 

 

Shpërndaje në: