Virusi, historia, natyra dhe ne
Salla është plot këtë mbrëmje. Aty ku muajt e kaluar sundoi heshtja, tani vendet janë zënë. Edhe ballkonet. Në Oper;n e Hapur të Barcelonës zënë vend 3000 … vazo lulesh, aty ku zakonisht ulen spektatorët. E gjelbra e tyre qëndron në kontrast me të kuqen e stolave dhe llambadarët e artë. Më në fund! Pamja ishte surreale, por normale nuk ka qenë asgjë këto muaj. Me kë të shkosh në koncert, kur ende ke frikë nga virusi dhe njerëzit nuk dalin jashtë? Me lulet. Ato mund të dëgjojnë, nuk lëvizin e kolliten, nuk kanë frikë dhe rrezatojnë vullnet të mirë.
Kuarteti luan Crisantemi nga Puccini. Një vepër e frymëzuar nga natyra, nga bimët, që rikthehet tek ajo. A mund të ketë diçka më të natyrshme? Në fund muzikantët përkulen para publikut të gjelbër. Një kaktus, një bimë aloe, filodendron, përkulja para asaj që rritet rreth nesh dhe na jep oksigjen është mirënjohje. Mund ta quash këtë koncert një gjest ekscentrik. Por, kjo është, ky ekscentrizëm na nxjerr nga egocentrizmi ynë, na largon nga ideja e të qenit qendra e botës që ne e zotërojmë prej një përjetësie. Nuk është rastësi që titulli i këtij evenimenti është “Koncert për Biozän”.
Para disa kohësh shkrova në një roman, se njeriu duhet të heshtë për një moment që të dëgjojë zërat e rrëfyesve të tjerë. Të kafshëve, luleve, të pilivesës, të guacave … ata të gjithë kanë mbledhur shumë heshtje, por ata rrëfejnë edhe histori, historinë e tyre të mbajtur mbyllur të shndërruar në minerale dhe myshk, alga, likene dhe mjaltë …
Tani kjo gjendje e jashtëzakonshme e koronavirusit na detyron të heshtim. Një mik më tha se nuk e përjetuar kurrë në këtë formë ndërrimin e stinëve. Edhe unë kam vëzhguar me vëmendje nga dritarja këtë herë se si u rritën gjethet, sesa shumë nuanca ka e gjelbra, dhe se do ishte e pasjellshme dhe e pasaktë që të gjitha t’i përmbledhësh në një nocion.
Nuk e kisha dëgjuar kurrë kaq qartë që nga fëmijëria këngën e zogjve. Po dalloj madje, se cili zog këndon, po lexoj për llojshmërinë e zogjve. Një fqinje më tha se ka zbuluar që nga ballkoni 19 lloje zogjsh. Pyes veten se si do të tingëllonin historitë tona, nëse ato do të rrëfeheshin nga krijesa të tjera. Të zhvillosh një qëndrim tjetër mbi gjërat do ishte një ushtrim i mirë empatie. Përfytyrojmë klasikët e letërsisë. Tregojmë për shembull “Plaku dhe deti” nga perspektiva e peshkut, më saktë të peshkut shpatë. Lufta e tij me plakun që nuk jepet, dhe detin nuk është më pak dramatike se ajo e plakut me detin dhe të.
Në historinë e peshkut është ai, peshku, heroi i luftës për jetë a vdekje, i gjakosur, por megjithatë reziston. Dëgjimin e versionit të tij sot do ta cilësoja si empati. Empati mjedisore. Por, edhe muzika në një sallë koncertesh me vazo lulesh është një fillim i mirë, një dhuratë e veçantë. Dhe (si gjithmonë me dhuratat) rëndësia është e dyanshme, si për lulet si për ne, por sidomos për ne.
Ne e përjetojmë kthimin e natyrës në shumë drejtime. Ne i dëgjojmë zogjtë më qartë të këndojnë. Përmes trupave tanë ndjejmë hakmarrjen e drejtë të kafshëve, që vriten industrialisht në thertoret tona. Nëse nuk e kuptojmë këtë mesazh metafizik, do të kemi më vonë shprehimisht një mesazh fizik. Kështu ndodh, kur nuk i kupton në kohë mesazhet metafizike.
Nëse duam ta jetojmë jetën tonë edhe më tej, kemi nevojë për një ndryshim radikal të perspektivës. Këtë duhet ta mësojmë nga virusi. Ne duhet të zgjerojmë empatinë tonë jo vetëm ndaj njerëzve, që kemi më afër, por edhe ndaj atyre që janë larg nesh, njerëz me ngjyrë tjetër, (sado absurde të duket ta përmendësh këtë në vitin 2020), ndaj natyrës, nga e cila vijmë. Kjo do të ishte empati ekologjike.
Natyra është kthyer. Nga ajo që kemi parë këto javë, duhet të mësojmë, se edhe historia rikthehet. Ajo e mënjanuara, e pashqiptuara vjen me një vërshim edhe më të madh. Ne duhet të gjejmë një rrugë të flasim me të dyja – me natyrën dhe historinë. Të gjitha bisedat e pabëra kthehën një ditë. Dhe kjo ditë është sot.
(Georgi Gospodinov aktualisht është autori më i përkthyer bullgar. Romanet e tij “Roman i natyrshëm”, “Fizika e melankolisë”, si edhe vëllimet me poezi dhe pjesët teatrale janë përkthyer në 25 gjuhë. Është nderuar me çmimin Angelus 2019 dhe çmimin letrar Jan Michalski në vitin 2016)