Vinicius nuk ka plane të largohet nga Real Madridi, synon Topin e Artë
Vinicius Junior ka insistuar që dëshiron të qëndrojë te Real Madridi, kur u pyet për ta vendosur një çmim mbi vetën për shkak të paraqitjeve tejet të mira në këtë sezon.
Ylli brazilian është në sezonin e tij të katërt si lojtar i Real Madridit, dhe ka formuar një partneritet të frytshëm me sulmuesin Karim Benzema këtë sezon, duke e ndihmuar skuadrën e tyre që të mbajë një diferencë prej tetë pikë larg vendit të dytë në La Liga.
Dyshja sulmuese renditet si e dyta me më së shumti gola në Top 5 ligat evropiane me gjithsej 22 sosh të shënuara së bashku, aq sa kanë të shënuara edhe dyshja e Bayernit Robert Lewandowski dhe Serge Gnabry.
Në fakt, Vinicius ka shënuar 10 gola në 16 ndeshje të La Ligas, duke u bërë lojtari i parë i lindur në vitin 2020 ose më vonë që arrin shifra të dyfishta në gola brenda një sezoni të ligës spanjolle.
Ish-sulmuesi i Flamengos u pyet që ta vendos një çmim në vetën e tij para derbit kundër Atletico Madridit, por refuzoi që ta bëjë këtë gjë, duke treguar dëshirën për të qëndruar me skuadrën e Carlo Ancelottit.
“Është më mirë që mos të vendos një çmim mbi vetën time. Është më mirë që të qëndroj këtu në Madrid”, tha Vinicius për “Vamos”.
Me formën e mirë që është duke e kaluar, Vinicius u pyet edhe për aspiratat e tij për ta fituar Topin e Artë, ku tregoi që beson në aftësitë e tij dhe se një ditë mund të jetë fitues i çmimit më prestigjioz individual.
“Më duhet të punojë shumë që ta arrijë atë gjë, duhet të vazhdojë të luaj këtu, të vazhdoj me paraqitje të mira, dhe të jem gjithmonë versioni më i mirë i vetës. Nëse vazhdoj të luaj kështu, sigurisht që mund ta fitojë, por gjëja kryesore për mua është ekipi dhe të fitoj sa më shumë tituj me Realin”, shtoi ylli brazilian.
Që nga debutimi i tij në shtator të vitit 2018, vetëm katër lojtarë kanë arritur të bëjnë më shumë paraqitje se Vinicius për Realin në të gjitha garat, ku ylli brazilian ka regjistruar 140 paraqitje mbi emrin e tij.