Vinicius Jr ndihet i pafajshëm, kërkon nga Tebas t’i tërheq akuzat e rënda
Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ka kërkuar privatisht që presidenti i La Ligës, Javier Tebas të tërheqë fjalët e tij të bëra javën e kaluar. Tebas e akuzoi Viniciusin publikisht për përdorimin e një transmetimi pirat për të parë në Spanjë ndeshjen Liverpool-Real Madrid, por braziliani siguron se nuk është kështu.
Vinicius Jr ka postuar një fotografi në rrjetet sociale nga loja në televizorin e tij, teksa ka mbështetur bashkëlojtarët e Los Blancos . Tebas më pas u shfaq në një konferencë kundër piraterisë në Buenos Aires dy ditë më vonë.
“Nëse është në Madrid, dhe mendoj se ishte në Madrid, është pirateri. Qasja në përmbajtje për të parë Ligën e Kampionëve në Spanjë duhet të bëhet përmes Televizionit Movistar”.
“Për të parë këtë përmbajtje, ju duhet një VPN ose një satelit të drejtuar diku tjetër. Duhet të ketë sjellje aktive që shkon përtej fushëveprimit të Movistar. Ai po hakonte lojën”, deklaroi Tebas.
Megjithatë, një burim ka zbuluar për ESPN se Vinicius Jr po e shikonte ndeshjen në një plan ndërkombëtar me një operator brazilian, dhe që i lejon atij qasje në lojë pa gjeo-kufizime.
Kampi i lojtarit ka treguar prova për këtë në La Liga dhe i kërkoi Tebas të tërhiqte pretendimet e tij se Vinicius Jr po transmetonte ndeshjen në mënyrë të paligjshme.
Tebas e ka bërë transmetimin pirat të futbollit çështjen e tij numër një gjatë një ose dy viteve të fundit, duke shpenzuar 60% të kohës së tij për këtë çështje, sipas fjalëve të tij.
Ai ka refuzuar të pranojë kritikat për faktin se shikimi i futbollit spanjoll është më i shtrenjtë se kudo tjetër në Evropë dhe pretendon se La Liga po humbet 600 milionë euro në sezon për shkak të piraterisë. /Telegrafi/