Viktimat e origjinës

Viktimat e origjinës

Shkruan Basri Kodra

Viktimat e origjinës

Në këtë fletërrufe të shkarravitur me të cilën një njeri i kulturës dhe qytetar i kryeqytetit (aktor, regjisor) godet një artist tjetër (aktor), na qenkan përdorur të gjitha mjetet e lejueshme dhe palejueshme, të nevojshme dhe fare të panevojshme, për ta shembur përdhe kolegun e vet të kthyer tashmë në armik!

Për shkak të arsenalit të madh sulmues dhe mjeteve të shumëllojshme luftarake të përdorura nga ana e fletërrufegjuajtësit, lexuesit do ta kenë mbase të pamundur t’i hetojnë mëkatet e keqbërësit. Por në vend të fajeve, të vërteta apo të supozuara, të cilat na qenkan bërë shkak për këtë sulm kaq të pamëshirshëm dhe gjithëpërshtrirës, lexuesit ndërkaq do ta zbulojnë fare lehtë një ‘faj’ tjetër, të pandehur shumë më të madh, i cili mbase duket të jetë nxitja fillestare dhe përcaktuese për gjithë këtë urrejtje kaq të fundbotshme shkatërrimtare.

E ky faj, na qenka, origjina! Më saktë, prejardhja fshatare e armikut, përkatësisht armiqve të tij, prejardhje që sulmuesi e mbulon me togfjalëshin “bagëti e bujqësi”, ku ta dimë ne krejt se për çfarë arsye!? I gjori Naim Frashëri! Sikur ta dinte se poema e tij aq e lavdishme dhe e dobishme do të bëhet një ditë mjet piroteknik për sulme aq të dëmshme dhe të palavdishme, nuk do të hiqte mundin ta shkruante fare!

Plot shtatë herë e godet armikun në prejardhjen e tij fshatare, të etiketuar këtu si ‘bagëtia e bujqësia’! Nëse i shtojmë edhe katër gjuajtjet në ‘origjinë’ dhe pesë në ‘soj’, me të cilët shumëfishohet dhe përthellohet goditja, atëherë do të mund të llogarisim edhe përmbajtjen e rafalëve të tij prej gjithsej gjashtëmbëdhjetë plumbave të shkrepur vetëm në një mjedis të pafajshëm, siç është familja!

Ndonëse prejardhja mund të jetë përcaktuese deridiku për fatet e gjithsecilit, askush nuk mund të quhet as fajtor e as meritor për origjinën e vet.

A ka nevojë të thuhet këtu se, shpesh origjina fshatare, më parë se pengesë, është bërë edhe ndihmesë për arritjet e mëdha të shumë vetjeve, jo vetëm në jetën shqiptare por dhe kudo tjetër në botë? Lista është shumë e gjatë. Ajo përmban luftëtarë të lavdishëm, shtetarë, filozofë, shkrimtarë, mjekë, inxhinierë, shkencëtarë e intelektualë të mëdhenj, në të gjitha kohët.

Përse atëherë ky zotëri Kastrati, që e paska harruar krejt prejardhjen e tij malore, bënë fajtor dikë tjetër, jo aq për veprat, sa për origjinën baritore?! Sepse duke sulmuar prejardhjen, jo vetëm përcaktohet apriori dhe përgjithmonë fati i kundërshtarit, por edhe përthekohet më gjerë, i gjithë ‘soji’, i cili na qenka fajtor për të gjitha të këqijat e vendit, duke i vë përnjëherë në shënjestër të batares së tij shkrumbëzuese.

Vaj-medet, për të gjithë ne – viktima të prejardhjes sonë!

 

Shpërndaje në: