Vetura të KFOR’it amerikan të martën janë parë te Ura e Ibrit
Misioni i NATO-s në Kosovë (KFOR) ka përsëritur të martën se çdo vendim për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër duhet të merret në kuadër të dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Vetura të KFOR’it amerikan të martën janë parë te Ura e Ibrit.
Sipas deklaratës, KFOR-i nuk do të hezitojë që të trajtojë secilin zhvillim që mund të ketë ndikim në siguri dhe stabilitetin rajonal, në përputhje me mandatin e Kombeve të Bashkuara.
Reagimi i KFOR-it vjen pas kryerjes së një vizite të zyrtarëve të Kosovës në atë pjesë, të cilët insistojnë që ura mbi Ibër do të hapet.
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë përgjatë vizitës në Mitrovicë të Veriut se “nuk ka arsye që ura të mos hapet’.
“Tash, kur do të hapet është çështje e vlerësimit të ekspertëve”, ka thënë ai.
Karabinierët italianë të KFOR-it kanë prani të përhershme mbi urën e Ibrit dhe kryejnë patrullime në rrethinë. Ura vëzhgohet edhe prej pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Qeveria e Kosovës beson se liria e lëvizjes duhet të sigurohet në të gjithë territorin, por Serbia e konsideron hapjen e urës si “provokim”.
Vendet e QUINT-it (Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca dhe Italia), kanë bërë të ditur ditë më parë se nuk e mbështesin hapjen e urës në këtë kohë.
Pavarësisht kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka insistuar që ura duhet të hapet dhe që hapja e saj nuk është kundër askujt.
“Ajo është në shërbim të të gjithëve dhe nuk është kundër askujt. Liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit nuk e rrezikojnë paqen dhe sigurinë, përkundrazi”.
Qeveria ka bërë të ditur se do t’i vazhdojë diskutimet dhe konsutimet për planin e hapjes së urës.
“Plani parasheh testimet për stabilitetin infrastrukturor të urës, vlerësimin e rrezikut dhe rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore, rivitalizimin vizual të urës me qasje në urë për të gjithë, diskutimet me qytetarë dhe grupe të interesit si dhe fushatën e informimit gjithëpërfshirës mbi përfitimet dhe qëllimet e hapjes së urës”.
Shqiptarët në Mitrovicë të Jugut dhe serbët në Mitrovicë të Veriut – me të cilët ka biseduar më parë Radio Evropa e Lirë – janë të ndarë nëse ura duhet të hapet.
Për shqiptarët, hapja e urës do të ishte “gjë e mençur”, ndërsa për serbët vendim që rrit tensionet./REL