Vetura me targa të Shqipërisë ndjekë disa nxënës në Pejë, Prokuroria: Qëllimi i tyre s’ka qenë i mirë
Disa fëmijë në Pejë, rrugës për në shkollë ata kanë hasur në një veturë me dy persona të panjohur, të cilët kanë tentuar t’i hipnin në veturë kinse për t’i afruar në shkollë.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, ka bërë të ditur për media se vetura kishte targa të Shqipërisë dhe se fëmijët kanë refuzuar të hipin në veturë.
“Nxënësit kanë refuzuar, i kanë njoftuar prindërit. Prindërit e kanë njoftu Policinë për rastin, pasi që është vlerësuar si shqetësim, njësitet kompetente menjëherë kanë filluar të ndërmarrin veprimet hetimore kuptohet në koordinim me Prokurorin e Shtetit, është duke u punuar rreth rastit, nuk ka vend për shqetësim.” – ka bërë të ditur Gashi për RTK.
Ndërsa nga Prokuroria Themelore në Pejë kanë njoftuar se kanë kërkuar nga policia që të shtohen patrullimet afër objekteve shkollore.
“Aktualisht, përderisa nuk i kemi personat në procedurë penale, përderisa të njëjtit nuk i kemi të arrestuar, nuk mund të flasim për cilësimin e veprës penale. Mirëpo çka është relevante se është duke u punuar në mënyrë intensive në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës që të identifikohen, fillimisht vetura, më pas personat në veturë dhe të njëjtit të arrestohen dhe të kuptohet qëllimi i tyre pse kanë shkuar aty. Deri më tani sa kemi pranuar informata qëllimi i tyre nuk ka qenë i mirë, mirëpo për këtë çështje janë duke u zhvilluar hetimet intensive në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe njëkohësisht i kemi në monitorim disa shkolla të cilat mund të jenë cak i këtyre veprave penale.” – ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.