Vetëm në tri komuna kanë mbetur pa u numëruar votat, procesi vazhdon sot

Do të vazhdojë edhe sot numërimi i votave. KQZ ka bërë të ditur se kanë mbetur për t`u numëruar votat në tri komuna, Prishtina, Peja dhe Leposaviqi, të cilat pritet të përfundojnë sot.
Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, për RTK-në ka njoftuar se është përmbyllur numërimi i votave në 35 komuna të Kosovës.
“Janë numëruar 94.31% apo 2,389 nga 2,533 vendvotime. Pra, kanë mbetur edhe 144 vendvotime që i takojnë këtyre komunave tri komunave”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, se gjatë procesit të numërimit, i zhvilluar në 38 Qendra Komunale të Numërimit, përveç numërimit të votave për kandidatët për deputetë, është realizuar edhe verifikimi i rezultateve të subjekteve politike.
“Ky është një proces sigurie që çdo votë të jetë e evidentuar me saktësi”, ka thënë ai.
Elezi ka bërë të ditur se KQZ ka publikuar platformën elektronike ku janë shfaqur të dhënat për votat e kandidatëve për deputetë dhe të dhënat për rezultatin e subjekteve politike.
Pas numërimit të votave në komuna fillon numërimi fillimisht i votave nga diaspora, votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta.