Vetëfundosja e fituesit, që harroi parimet
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, i ka kërkuar për herë të tretë kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, të marrë mandatin e kryeministrit të Kosovës, pasi partia e tij, ka dalë e para në zgjedhjet e 6 tetorit. Albin Kurti ka refuzuar përsëri.
Dy herët e para ka reaguar, duke paraqitur arsyetime për mungesë kohe, ndërsa sot, Kurti ka caktuar një datë të mundshme kur mund të ketë kohë të takojë presidentin për këtë çështje.
Qëndrimi, në dukje kryeneç i Albin Kurtit, për të mos u paraqitur të marrë mandatin e kryeministrit, në fakt zbulon realisht pasigurinë e tij për t’u bërë kryeministër.
I befasuar nga mbështetja pa kushte që LDK i dha për të zgjedhur pa marrëveshje kryetarin e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e Vetëvendosjes, Albin Kurti është tani në mëshirën e kundërshtarëve të tij, pasi nuk e ka në dorë ta shantazhojë për zgjedhje të parakohëshme, nëse nuk është dakord LDK, dhe po ashtu nuk mund të diktojë më kushte për marrëveshje për formimin e qeverisë.
Ai thjesht, ose duhet të formojë një qeveri pakice, vetëm me Vetëvendosjen dhe të provojë të marrë mbështetje në Kuvend, siç mori për kryetarin e Kuvendit, ose të pranojë kushtet e LDK.
Pikërisht ky konfuzion e ka rënduar pozitën e tij, dhe tani po tenton të bëjë si i fortë me presidentin e Republikës, duke shmangur takimin për marrjen e mandatit, edhe pse i takon me Kushtetutë.
Përpjekja e tij për të nervozuar presidentin Thaçi, bazohet tek shpresa që presidenti ta dekretojë atë edhe pa e takuar, siç i takon ta bëjë, dhe pas asaj të presë 15 ditë që ky t’i paraqes Qeverinë, Kuvendit.
Nëse Thaçi e bën këtë, Kurti ka dy rrugë, ose t’i paraqesë Qeverinë për 15 ditë, ose t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese ta interpretojë këtë dekret, pra ta vërë në dyshimin dekretimin e tij, dhe të presë 60 ditë të tjera për përgjigje, me shpresë se gjatë këtyre gjashtëdhjetë ditëve, do të gjejë gjuhën me LDK, ose do të vetëshkarkohet.
Pra fare papritur, politikani që premtoi se do të vinte në pushtet përmes parimeve, është bërë sinomin i taktikave dhe procedurave ligjore, për të shpëtuar përballjen me fatin e tij politik.
Deri më sot, biles deri dhe tek votimi i kryetarit të Kuvendit, ai mburrej që nuk negocion parimet dhe shkoi i vetëm me kandidat për kryetar Kuvendi. Tani që të njëjtën gjë mund ta bëjë dhe për vete, është kthyer papritur nga parimor, në predator, nga njeri që lufton kompromiset, në politikan kulisash, nga njeri që ngjallte shpresë me Vetë-Vendosjen, në një lider që premton Ri-Vendosjen e rregullave për veten e vet.
Mbi të gjitha, ka thyer mitin e tij si politikan që nuk i trembet syri të përballet me kundërshtarin, por që tani nuk guxon të përballet me presidentin, i cili thjesht do t’i dorëzojë mandatin për t’u bërë kryeministër.
Kjo tregon se të gjitha përballjet e tij, kanë qenë në funksion të ëndrrës së tij për kryeministër, dhe ky këtë ditë nuk e pëbrallon dot, thjesht se është i pasigurtë.
Nuk është turp të jesh i pasigurtë, por turp është të bësh si parimor dhe i fortë, kur je i i dobët, frikacak dhe kalkulant.
Nuk e di çfarë ka mbetur nga Vetëvendosja në këtë histori, por i vetmi njeri që nuk po vendos dot më as për veten e vet, është Albin Kurti. Dhe kjo ngjan më shumë si Vetëfundosje, se sa Vetëvendosje.