Vetaksidentohet një veturë në Prizren, lëndohen katër persona
Katër persona kanë marrë lëndime trupore në një aksident i cili ndodhi sot rreth orës 13:00 në autostradën në dalje në veri të Prizrenit.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, Luljeta Mehmetaj.
Sipas saj, aksidenti ka ndodhur pasi një veturë ka humbur kontrollin dhe ka goditur mbrojtësit e rrugës duke u rrokullisur.
“Sot më datë 8 Gusht, rreth orës 13:00, është pranuar një informatë se në autostradë- në daljen Veri në Prizren ka ndodhur një vet-aksident trafiku me lëndime. Sipas njësive në vendngjarje dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi një automjet ka humbur kontrollin dhe ka goditur mbrojtësit e rrugës duke u rrokullisur”, ka thënë Mehmetaj.
Ndërkaq, katër të lënduarit janë dërguar për trajtim mjekësor në emergjencën e Prizrenit.
“Si pasojë e aksidentit 4 persona kanë pësuar lëndime trupore, të cilët janë transportuar në emergjencën e Prizrenit. Lidhur me rastin njësia e hetimeve të autostradës është duke u marrë me rastin, sipas procedurave të parapara për trajtim të mëtejmë të rastit”, ka thënë Mehmetaj.