Vet shpesh marrin rolin e gjyqësorit, e tani MD-ja akuzon KPK-në se kinse po ndërhyjnë në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit

Vet shpesh marrin rolin e gjyqësorit, e tani MD-ja akuzon KPK-në se kinse po ndërhyjnë në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit

Ministria e Drejtësisë, i ka reaguar Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), e cila të hënën tha se “Qeveria është duke synuar defunksionalizimin e sistemit prokurorial”, sipas tyre KPK-ja s’ka ofruar asnjë argument se ligji i KPK-së cenon pavarësinë e tyre.

Madje, sipas tyre reagimi i KPK-së është në vazhdën e qasjes destruktive, veprimeve penguese dhe tendencave të vazhdueshme bllokuese të Këshillit Prokurorial.

“Është ndërhyrje flagrante në kompetencat e Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe ka për qëllim ruajtjen e status quo-së dhe vazhdimin e problemeve sistematike, tanimë të njohura për publikun dhe për të cilat shprehin të gjithë shqetësim”.

“Ashtu si gjatë pjesëmarrjes në grupet punuese të Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në diskutimet e fundit dhe amendamentet e shqyrtuara në Komisionin për Legjislacion të Kuvendit, reagimi i KPK-së nuk përmban as edhe një argument të vetëm se si ky ligj  “cenon pavarësinë e KPK-së”, “ndërhyn në mandatin kushtetues” apo edhe “pamundëson funksionalizimin e KPK-së”, siç pretendohet në reagimin e KPK-së”.

Dikasteri i drejtësisë, vlerësoi se reagimi përmban të pavërteta e pasaktësi faktike.

“Bazohet vetëm në konstatime dhe deklarata të përgjithshme që nuk janë të specifikuara e as argumentuara ligjërisht dhe profesionalisht e cila qasje dhe veprim  bie në kundërshtim edhe me vet rolin dhe mandatin e KPK-së për bashkëpunim konstruktiv dhe kontribut profesional në përmirësim të sistemit të drejtësisë, në veçanti atij prokurorial”.

Nga ministria kanë përmendur edhe angazhimin që është bërë për këtë ligj.

“Ligjit për Këshillin Prokurorial, i ka paraprirë një procedurë e gjatë e hartimit e cila ka përfshirë konsultimin formal tre herë me Komisionin e Venedikut, diskutime e propozime konkrete nga organizatat e shoqërisë civile dhe partnerët ndërkombëtarë, propozime dhe diskutime nga vet përfaqësuesit e sistemit prokurorial si dhe nga deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës së fundmi”.

Duke shtuar se të njëjtit vazhdimisht ishin ftuar në takim për të diskutuar lidhur me këtë ligj.

“Ndryshe nga konstatimet e pavërteta dhe aspak të qëndrueshme të Këshillit Prokurorial për qasje të njëanshme, refuzim dhe injorim të propozimeve e komenteve të përfaqësuesve të tyre, Ministria e Drejtësisë rithekson se në vazhdimësi ka ftuar përfaqësuesit e sistemit prokurorial në takimet e grupit të gjerë punues, por edhe në takimet e veçanta, duke trajtuar kështu secilin propozim të tyre dhe duke adresuar dhe pranuar të gjitha ato që janë në interes të vet reformës”.

MD-ja kërkoi nga Këshilli Prokurorial i Kosovës që të braktisë qasjen destruktive dhe tendencat penguese dhe të jetë një partnere bashkëpunuese.

Më 11 korrik, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, vlerësoi se Qeveria “nuk i ka marrë parasysh komentet” e Unionit për Projektligjin për Zyrtarët Publik, atë për Komisionin e Pavarur për Media dhe për Këshillin Prokurorial të Kosovës.

Megjithatë, përkundër kërkesave të BE-së, Kuvendi me 61 vota për miratoi Projektligjin për Këshillin Prokurorial. Asnjë deputetë nuk votoi kundër.

Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe Ligjin për Komisionin e Pavarur për Media.

KPK i reagon ashpër Qeverisë për ligjin e ri: Tendenca e pushtetit për kapjen e KPK`së u zbulua plotësisht

Shpërndaje në: