“Vështirë që Gjykata ta arsyetojë mosparaqitjen e Kurtit…”, avokati Bajraktari tregon se çka mund t’i ndodh Kurtit pas refuzimit për të dëshmuar në Speciale

“Vështirë që Gjykata ta arsyetojë mosparaqitjen e Kurtit…”, avokati Bajraktari tregon se çka mund t’i ndodh Kurtit pas refuzimit për të dëshmuar në Speciale

Është hera e tretë që kryeministri i vendit, Albin Kurti, nuk shkon për të dëshmuar në Prokurori për rastin e rezervave shtetërore. Madje për sot, i njëjti kishte urdhër nga Gjykata për t’u paraqitur në Prokurorinë Speciale. Mirëpo, në orën e njëjtë Kurti zgjodhi që të shkojë në Gjilan për të vendosur gurthemelin e një çerdheje të re, shkruan Periskopi. 

Por, çka ndodh tutje…?

Në një prononcim për Periskopin, avokati Ardian Bajraktari ka shpjeguar se cilat janë masat që merren ndaj personit i cili shpërfill urdhërin e Gjykatës, në këtë rast të Kurtit.

Avokati Bajraktari, në një përgjigje për Periskopin, u shpreh se Kurti mund të ngarkohet me gjobë pres 250Euro.

“Duke qenë se kemi urdhër Gjykate, mbetet që mosparaqitjen eventuale ta arsyetoj – gjë e cila vështirë mund të bëhet. Pas kësaj kodi i procedurës penale neni 132 është i qartë sipas së cilës gjyqtari i shqipton gjobë prej 250 euro për mosparaqitje”, tha Bajraktari.

Tutje, ai bën të ditur se në rast se kjo bëhet e përsëritur, subjekti mund të ndëshkohet me burgim edhe për një muaj.

Zyra e Kurtit para pak ditësh i ishte drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë përmes një letre ku i kishte kërkuar asaj që ta urdhërojë Prokurorinë që dëshmia të merret në Kryeministri.

Kurti tha se kërkesa e tij për t’u intervistuar në zyrën e tij bazohet edhe në raste të mëhershme, por nuk ka përmendur ndonjë rast se kur ka ndodhur kjo. Ai refuzon të shkojë në Prokurori me arsyetimin që kryeministri i Kosovës të mos bëhet lajm botëror e që të krijohet përshtypja se po dyshohet për një rast korrupsioni.

Më 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje.

Në këtë ministri, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga portali Nacionale, ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.

Hajdari ka thënë se blerjet për rezerva shtetërore janë bërë në përputhje me ligjin, por nuk ka dhënë më shumë detaje, meqë informacionet për to janë sekrete shtetërore.

Ajo e ka akuzuar policinë se gjatë bastisjeve, ka marrë në cilësinë e provave dokumente të klasifikuara si sekrete shtetërore.

Kurti i pati dalë në mbrojtje Hajdarit, duke thënë se “nuk ka kurrfarë korrupsioni e keqpërdorimi”. /Periskopi/

Shpërndaje në: