Veriu në kohë dhe hapësirë
Kaloni në një dimension tjetër të persiatjes, jashtë vulgaritetit të përditshëm politik. Në atë të kundrimit pak më “filozofik” të problemit: trajtimit real të gjithëasaj që emërtohet si “veri” në kontekstin 17 vjeçar të pasluftës. Thjesht, çfarë nënkupton veriu për mesatarin kosovar që pi përditë makiato, ta zëmë në kryeqendër. A e di mesatari kosovar se për kah kilometrat (hapësira) Mitrovica më afër e ka Prishtinën (39) se sa Leposaviqin, përkatësisht pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak (46/50) ?
Nuk është se jemi aq idiotë për mos ta ditur këtë gjë, por është pikërisht realiteti politik i këtij 17 vjeçari ai që ka imponuar daljen nga mbamendja të këtij fakti, dhe realisht njëfarë habie kur na bie në mend mu ky fakt. Habitemi pra kur kujtohemi se me afër jemi me Mitrovicën kur jemi në Prishtinë se sa që jemi me Leposaviqin kur jemi në Mitrovicë. Aq më shumë: se të shkosh në Leposaviq nga Mitrovica është pothuajse baraz sa distancën Mitrovicë-Istog. Kjo domosdo na çon tek pyetja: ç’është ajo që e ka diktuar dhe sforcuar këtë fakt? Përgjigja është koha.
Koha është atmofera jonë ushqyese, si indivudalisht ashtu edhe kolektivisht. Koha është ajo që thyen kufinjtë, dhe njështrajtshmërinë e hapësirës. Kësodore ngandonjeherë një ngjarje që ka ndodhur para dy viteve na duket si “shumë të largët”, dhe në fakt e marrim për të tillë, ndërkaq ndonjë të para tridhjetë a më shumë viteve e kemi krejt pranë nesh, thuajse banon me ne. Natyrisht dy ngjarjet e mëdha të modernitetit: profesionalizmi e specializimi (si copëzime të shpjegimeve unitare të botës) çështjen e kujtesës e kanë reduktuar vetëm në shpjegime përjetimesh individuale psikologjike, psikiatrike e psikosomatike, por kujtesa dhe peshimi i kohës gjithnjë janë edhe sociale, siç pati vërejtur me të drejtë Jungu.
E është pikërisht veriu që për mesatarin kosovar tashmë është strumbulluar si unicitet harrese. Veriu është “andej dikah”, jashtësi, copë jashtë nesh, hapësira jetësore dhe vepruese “e atyre”, gjeografi e tjetrit, jo e jona. S’ka asnjë dyshim se kjo formë e të gjykuarit është ngulitur fort e fort në të pavetëdijshem dhe të vetëdijshmen e secilit shqiptar (madje edhe të jo-shqiptarëve) të Kosovës, sado që të mundohemi ta gënjejmë veten dhe të tjerët se nuk është kështu. Atje janë “pyjet e pashkelura” të daseinit shqiptar të Kosovës. Shqiptari atje, përfshi autorin e këtyre rreshtave, ndihet si të ishte në Krajlevë.
Pra a u deshka shumë logjikë që të menduarit e asaj pjese ta konstituojmë jashtë vulgaritetit politik e bërllog-prodhimtarisë të mediave pro-pushtet me në krye Televizionin publik? Jo nuk u deshka shumë logjikë. Vetëm zëvendosëojeni (dez)informimin me mendimin, mbipeshimin e bajatshëm të politikës ditore me analizë kohore, si dhe teorizimet e çteorizimet mbi mure, trena e zgjidhje, me përvojen e deritanishme që lidhet me atë pjesë. Përgjigjen në e zotërojmë ne atë pjesë, do e gjeni vetë.