Veriu dhe Serbia nuk janë problemi i vetëm i Kosovës, e as maja e problemeve që kemi si shoqëri
Shkruan: Ismet Kryeziu
Për vite me radhë, veriu është përdorur si mbulesë për të shmangur adresimin e sfidave reale që pengojnë përparimin e shoqërisë sonë, si reformat e nevojshme në zhvillimin ekonomik, qeverisjen e mirë dhe luftën kundër korrupsionit.
Vazhdojmë të përballemi me mungesën e etikës dhe integritetit në qeverisje, me mungesë të reformave të domosdoshme në arsim dhe shëndetësi, me zyrtarë të profileve të larta të akuzuar për keqpërdorim të pozitave publike, me gjyqësor jo efikas në ndëshkimin e korrupsionit, me tenderë një burimor e lidhje të kompanive me profile të larta politike.
Nepotizmi dhe politizimi i bordeve me militantë dhe aktivistë partiakë vazhdojnë të jenë problem.
Ende sot, më shumë se meritokracia si vlerë, libreza partiake dhe shërbimi ndaj partisë janë standardi i vetëm për punësim dhe sukses në biznes.
Kjo mungesë kompetence dhe përkushtimi ka prekur sektorët kyç si ekonomia, arsimi dhe shëndetësia, duke penguar përparimin e shoqërisë dhe përmirësimin e kushteve të jetesës për qytetarët. Problemet janë të shumta dhe mund të zgjerojmë listën e tyre, duke i dhënë dimensione më specifike që cenojnë barazinë gjinore, të rinjtë, migrimin ekonomik, pensionistët dhe shumë kategori të tjera qytetarësh të margjinalizuar.
Prandaj, në prag të zgjedhjeve parlamentare, kur partitë politike, liderët e tyre dhe kandidatët potencialë kanë filluar të prezantojnë programe, ide dhe premtime, qytetarët kanë një mundësi unike për të kërkuar dhe për të zgjedhur përfaqësues që angazhohen vërtet për përmirësimin e kushteve të jetesës për të gjithë.
Kjo është koha kur ne, si qytetarë, duhet të angazhohemi në mënyrë aktive, të lexojmë dhe vlerësojmë programet e partive dhe kandidatëve, të marrim pjesë në debate publike dhe të kërkojmë përfaqësues me integritet dhe kompetencë për përgjegjësitë publike.
Procesi zgjedhor është më shumë se një ditë votimi – kjo periudhë ka filluar, dhe është një mundësi ku secili prej nesh duhet të jetë votues i informuar, të ndikojmë për të shtyrë përpara ide dhe për të zgjedhur programe, parti dhe deputetë të përkushtuar ndaj reformave në fusha kyçe si ekonomia, arsimi, shëndetësia dhe lufta kundër korrupsionit.
Pjesëmarrja aktive në këtë periudhë është vendimtare.