Vendosje e vetes apo Vetëvendosje

Vendosje e vetes apo Vetëvendosje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, nuk e shkruejti asnji postim përkrahës e urues në Facebook, për Kombëtaren e Kosovës. Ky veprim u kritikue dhe u sha prej shumë e shumë njerëzve, ndër të cilët edhe plot simpatizantë të Lëvizjes që ai e udhëheq. Dita-ditës po kjartësohet ma shumë se Kosova po ndjell ndjenjë e dashni te qytetarët e saj. Kjo duhet me u kjartësu edhe në mendjen e Kryetarit të Lëvizjes dhe të njimijë e tetëqind pëlqyesve të postimit të tij.
***
Nji aktivist i Lëvizjes, shok dhe koleg në fakultet, Pajtim Balaj – e mbrojti kryetarin e tij tu thanë që, ai nuk po i tradhëton idealet e UÇK-së. Ideal i UÇK-së, simbas tij, asht bashkimi kombëtar – domethanë Shqipnia e madhe, Shqipnia etnike.
Kjo nuk asht e vërtetë. Ideali parësor i UÇK-së ishte çlirimi i Kosovës nga nji pushtet racist që i fyente dhe i poshtnonte kosovarët. Edhe vetë emni i saj e tregon mësymjen kryesore: çlirimin e Kosovës. Ajo nuk u quejt, për shembull, Ushtria për Bashkimin Kombëtar ose Armata Kombëtare Shqiptare – siç quhet nji organizatë me dhjetë-pesëmbëdhjetë njerëz sot. UÇK-ja ishte e përcaktuar për çlirimin e Kosovës – dhe ia doli mbanë.
***
Lëvizja Vetëvendosje asht ajo që i ka shërby ma së miri kombformimit të Kosovës. Ajo e ka ndërtu nji idealitet të fortë për drejtësinë, kundër korrupsionit, nepotizmit dhe krimit të organizuem, për nji ekonomi të zhvillueme – dhe i ka qëndru besnike majtizmit të saj socialdemokrat deri në pikën ku fillon retorika e nacionalizmit dhe shkërrmoqet krejt frymëzimi etatist i saj.
Ajo asht e vetmja që i vihet kundër mendësisë grabovciane me të cilën operon, jo veç PDK-ja, por edhe LDK-ja, AAK-ja e Nisma. Vetëvendosje ofron shpresë për nji qeverisje rrajësisht të ndryshme – deri në momentin kur e quen leckë flamurin e Kosovës dhe fillon t’i shajë gjithë ata që ndihen kosovarë. Vetëvendosje ofron shpresë deri në momentin kur shndërrohet në “Nekemivendosurshumëmëparë”.
***
Retorika nacionaliste e Vetëvendosjes e përdorë nji koncept të zhdukun në historinë e ideve për kombin. E heshtë etatizmin dhe i ban thirrje sundimit, si element ndërtues të kombit. I rimerr komplekset e inferioritetit që i ligjëron historiografia jonë, për vogëlsinë territoriale dhe dobësinë fizike. E don nji Shqipni të madhe që me e pa me kreni hartën e re të ballkanit, ku ne, dukemi ma të mëdhenj. Poashtu, rimerr nga historiografia jonë atëfarë humanizmin religjioz të viktimës për me justifiku mos-sundimin e ‘urtinë’ tonë dhe me i qitë në dritë ‘padrejtësitë’ historike.
***
Qytetarët e Kosovës janë të lirë si kurrë ndonjiherë tjetër. Pavarësisht se janë mbi 50% të papunë e të pashpresë – atyne nuk iu thotë ma askush fjalë raciste, nuk i rrehë e nuk i bërtet. Njerëzit e njohin mirë dhunën e dikurshme që e pësonin nga serbët. Dhe po, sod edhe si të papunë e shijojnë lirinë. Kjo asht nji rrethanë e mirë që i paralizon revoltat e mëdha. Vetëvendosje shihet me simpati nga shumica e njerëzve të këtij vendi. Madje edhe nga ata që nuk guxojnë me votu. E pse nuk guxojnë me votu? Për shkak të interesave dhe lidhjeve me pushtetin do-do, ndërsa do tjerë për shkak të ligjërimit të saj nacionalist dhe frikës për trazira të reja politike e sociale.

Para çdo ideali, kosovari e don nji mirëqenie ma të naltë e nji siguri ma të madhe. Prandaj, duhet me u pushu karta e identitare.

***

Mbi 50 përqind ose dhjetra mijëra njerëz në Kosovë nuk dalin në votime. Kjo duhet me u marrë parasysh nga kjo Lëvizje, nëse përnjimend don pushtet dhe don shtet të drejtë e të zhvilluem.

Shpërndaje në: