Vendim historik në futboll, ndeshja Anderlecht-Genk do të përsëritet shkaku i gabimit të gjyqtarëve
Është marrë një vendim historik në futboll. Ndeshja Anderlecht-Genk do të përsëritet pasi u konfirmua një gabim i gjyqtarëve të ndeshjes – përfshirë edhe ata nga dhoma e VAR-it.
Kështu ka vendosur Këshilli Disiplinor për Futbollin Profesional pas ankesës së bërë nga klubi i Genkut, transmeton Express.
Ky organ disiplinor vendosi për përsëritjen e ndeshjes, teksa një datë mbeti për t’u caktuar më vonë.
Anderlecht e fitoi ndeshjen 2:1 në dhjetor ndaj Genkut. Por, në këtë ndeshje u anulua një gol i Yira Sor të Genkut, që erdhi pas penalltisë së humbur të Bryan Heynan.
Goli u anulua nga VAR-i me arsyetimin e futjes më herët në zonë të futbollistëve – mirëpo, tani është konfirmuar se penalltia duhej përsëritur, ashtu siç e thonë rregulloret.
Përsëritjet treguan se Sor ishte brenda zonës së penalltisë, pasi Heynan goditi topin, duke bërë që VAR-i t’i rekomandonte gjyqtarit, Nathan Verboomen, që goli të anulohej.
Megjithatë, pamjet treguan gjithashtu se dy lojtarë të Anderlechtit kishin hyrë gjithashtu në zonën e rreptësisë, gjë që, sipas ligjeve të lojës, duhej të kishte rezultuar në përsëritjen e penalltisë së Genkut, në vend të vendimit të gjyqtarëve të ndeshjes që vendosën t’i jepnin Anderlechtit një goditje e lirë.
“Këshilli Disiplinor për Futbollin Profesional ka vendosur që ndeshja Anderlecht – KRC Genk në fund të vitit të kaluar duhet të ri-luhet. Këshilli Disiplinor fillimisht u deklarua kompetent për të vendosur për këtë çështje. Kjo anuloi vendimin e mëparshëm të Departamentit të Gjyqtarëve Profesionistë për të mos ri-luajtur ndeshjen. Këshilli më pas ndoqi argumentin e KRC Genk se gjyqtarët e ndeshjes i zbatuan gabim rregullat në fazën e penalltisë në fjalë. KRC Genk shpreson se do të gjendet së shpejti një datë për të riluajtur ndeshjen”, thuhet në njoftimin e klubit të Genkut.