Vendi po përballet me mundësinë e përjashtimit nga CEFTA, Kurti i bën publicitet marrëveshjes për tregti të lirë me 4 vende evropiane
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të dielën shpërndau postimin e ministres së Tregtisë Rozeta Hajdari e cila ka treguar se Kosova javën që shkoi ka përmbyllur me sukses kapitujt negociues për Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë me Shtetet e EFTA.
EFTA është një organizatë ndërkombëtare për tregtinë e lire që përbëhet nga Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia, Zvicra.
Për këtë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se në mars të vitit 2022, gjatë vizitës në Norvegji dhe takimit me ministrin norvegjez të Tregtisë dhe Industrisë, Jan Christian Vestre, kishte paraqitur kërkesën e Kosovës për të avancuar bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar me vendet anëtare të EFTA-s, nga Deklarata e Përbashkët në Marrëveshje Tregtare.
“Dy vjet e gjysmë më vonë, e pas katër raunde të negociatave të lansuara në qershor të vitit 2022, kemi Marrëveshje të Tregtisë së Lirë me shtetet anëtare të EFTA-s, anëtare e së cilës është Norvegjia, së bashku me Zvicrën, Lihtenshtajnin dhe Islandën. Nënshkrimi i Marrëveshjes pritet të bëhet në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Por, teksa Kosova po afrohet me EFTA, asaj po i kanoset rreziku për përjashtim nga CEFTA, organizatë për tregëti të lirë ku përfshihen vende të Evropës Juglindore.
Gjermania nuk e ka përjashtuar që CEFTA të operojë pa Kosovën nëse Kosova nuk ia heq Serbisë një masë që ia ka vendosur ndaj disa mallrave. Qeveria Kurti ka pranuar që Kosova të përfaqësohet me asteriks (Kosova*) në këtë organizatë duke e zëvendësuar UNMIK’un në emër të të cilit është përfaqësuar Kosova. Gjermanët, të cilët e kanë negociuar këtë marrëveshje insistojnë që ajo të zbatohet në pako duke përfshirë heqjen e masës ndaj mallrave serbe. Kosovës po i bëhet presion që të pranojë këtë variant deri në takimin e radhës së Procesit të Berlinit që mbahet në gjysmën e tetorit.