Vend i vogël me sukses të madh, “The Guardian” jehonë artistëve kosovarë

Vend i vogël me sukses të madh, “The Guardian” jehonë artistëve kosovarë

Fushat mbi fshatin kosovar “Bërnicë e Poshtme” ofrojnë një pamje spektakolare të vendit përreth. Qielli blu përshkohet me siluetat e maleve që rrethojnë Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës. Kështu e ka nisur artikullin “The Guardian” për festivalin “Sunny Hill” dhe disa nga artistët kosovarë.

“Horizonti është i shpuar nga minare të holla e të argjendta dhe shtëpi me çati të kuqe. Ndërsa dita kthehet në natë, ky sfond skenik bëhet i zi, ndërsa skenat ndriçojnë dhe basi fillon të tingëllojë”, e ka përshkruar më tej “The Guardian” – Bërnicën, kur nisi festivali “Sunny Hill”.

Ky është festivali Sunny Hill, një festival katërditor i muzikës pop i organizuar nga ylli ndërkombëtar Dua Lipa dhe babai i saj, Dukagjin Lipa.

“Pasi ka shpallur pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, Kosova është vendi më i ri në Evropë – mosha mesatare e qytetarëve të saj është 29.5 vjeç, ndoshta e ndihmuar nga fakti se të rinjtë kosovarë deri vonë nuk mund të përfitonin nga liria e lëvizjes brenda BE-së. Popullsia prej 1.8 milionë banorësh është më pak se një e katërta e qytetit të Nju Jorkut, masa tokësore e tij është vetëm 3 për qind e asaj të Gjermanisë – gjë që e bën ndikimin e jashtëzakonshëm të vendit të vogël ballkanik në muzikën pop ndërkombëtare edhe më të shquar.

Dua Lipa dhe Rita Ora, dy nga këngëtaret kryesore në botë të top-listave janë me origjinë shqiptare kosovare, të lindura nga prindër që u larguan nga rajoni i shkatërruar nga lufta në vitet 1990. Lipa dhe Ora të dyja këndojnë në anglisht, por edhe artistët në gjuhën shqipe nga Kosova kanë pasur suksese të mëdha në Evropë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut, Indi, Australi dhe SHBA – një skenë e gjallë e brendshme e lindur nga qëndrueshmëria dhe krijimtaria pas luftës së Kosovës.

“Me aktivitete të kufizuara rekreative në dispozicon, të rinjtë e kanë kanalizuar energjinë e tyre në muzikë dhe art”, shpjegon Gent Osmani nga kompnia “Fole Publishing” e cila shpërndan dhe tregon video muzikore për yjqet shqiptarë.

Artikulli i “The Guardian” vazhdon me Dhurata Dorën.

Njëra prej tyre, Dhurata Dora, ka më shumë se 860 milionë shikime në YouTube me hitin e saj “Zemër”, një bashkëpunim i vitit 2019 me reperin algjerian Soolking, i cili është listuar në Belgjikë, Zvicër dhe Francë. Bashkëpunimi i Dorës në vitin 2021 me këngëtarin francez GIMS “Only You”, u certifikua me të artë në Francë dhe platin në Zvicër. Ndërkohë performanca e saj me yllin e “The Voice of Albania”, Yll Limanin ishte padyshim më e spikatura në gjuhën shqipe në “Sunny Hill” këtë vit, shkruan më tutje The Guardian.

Duke kënduar tekste të përqendruara kryesisht te dashuria dhe tradhtia, yjet e estradës kosovare shpesh bashkëpunojnë me artistë nga Shqipëria apo diaspora, duke krijuar video në YouTube të mbushura me pamje  nga ajri dhe fustane me ngjyra të ndezura. Ato përfshijnë gjithçka, nga meloditë tipike ballkanike (siç është Malli i Albrim Llapqevës), deri te këngët hip-hop (siç është “I Kom Pa” e Butës dhe Noizyt), e deri te meloditë tërheqëse pop (përfshirë Bonbonin e Era Istrefit, e cila është shikuar gati një miliard herë në YouTube.

Shpërndaje në: