Vehbi Kajtazi: GPS i gjetur në veturën time, dyshohet se i përket AKI-së
Gazetari Vehbi Kajtazi ka komentuar sërish GPS-in i cili është gjetur në veturën e tij.
Në T7, Kajtazi ka thënë se dyshimet janë që ajo pajisje i përket AKI-së.
“Ky regjim ka futur gazetarët si subjekte të përndjekjes dhe hetimit sepse ne nuk i pëlqejmë rëgjimit për shkak të aryre që flasim dhe atyre që shkruajmë dhe ekspozimit të korrupsionit, krimit, që i bëjmë kësaj qeverie. Intensifikimi i përgjimit ka ndodhur në momentin që kam publikuar bisedën e fundit të Mimoza Kusari-Lilës me terroristin Milan Radojiçiq…po flasim për hetim të paligjshëm sepse s’ka vendim të Gjykatës Supreme për këtë çështje”, tha Kajtazi sa i përket deklaratave të tij se është duke u hetuar paligjshëm.
Ai tha se pajisja u gjet kur e dërgoi veturën për kontrollim teknik.
“Gjatë kontrollit të veturës njëri nga punëtorët e ka vërejtë që në anën e majtë të rrotës është i vendosur një mjet që dukej i dyshimtë…Shihej që ishte GPS, kjo pajisje e cila i përket institucioneve ligjzbatuëse të Kosovës”, tha Kajtazi në Pressing, transmeton Express.
“Dyshohet që i përket AKI-së”, shtoi Kajtazi për GPS-in në fjalë.
“Është pajisje përgjuese dhe vëzhguese, ka kapacitet për incizim ambiental. Nëse telefonin e ki të lidhur në veturë atëherë dëgjohet në vazhdimësi dhe regjistrohet nga kjo pajisje”, deklaroi Kajtazi.