Vedat Muriqi në mesin e yjeve të futbollit, i përfshirë në listën e top golashënuesve në Ligën e Kombeve

Sulmuesi i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi është pjesë e listës së golashënuesve më të mirë të Ligës së Kombeve, për edicionin 2024/25.
“Pirati” dardan ka gjetur pesë herë rrugën e golit në gjashtë paraqitje në edicionin e sivjetëm të Ligës së Kombeve, shkruan Express, përcjell Periskopi.
Muriqi nuk shënoi në ndeshjen e parë ndaj Rumanisë në xhiron e parë të këtij edicioni, por shënoi dy gola në udhëtim te Qipro – në muajin shtator.
Gjatë tetorit, Muriqi nuk ishte fare i ftuar për ndeshjet ndaj Lituanisë e Qipros, shkaku i një lëndimi në këmbë.
Në duelin e parë ndaj Islandës në Prishtinë, Muriqi nuk arriti të tundë portën e kundërshtarit për 88 minuta lojë, megjithatë dukej se i kishte rezervuar golat për takimin e kthimit.
Sulmuesi dardan shënoi tregolësh në përballjen e djeshme ndaj Islandës, për ta gjetur më pas vetën në listën e top golashënuesve në këtë edicion të Ligës së Kombeve, së bashku me disa emra të mëdhenj të futbollit europian.
Viktor Gyokeres i prin listës me nëntë gola të shënuar, derisa pas tij janë Erling Haaland e Georges Mikautadze me nga shtatë sosh. Më poshtë në listë janë Razvan Marin e Cristiano Ronaldo me nga gjashtë gola.
Sa Muriqi, gola kanë edhe Orri Óskarsson e Benjamin Sesko.
Vedat Muriqi ka 31 gola të shënuar me kombëtaren e Kosovës në 60 paraqitje në të gjitha garat.