“Veç mund ta bllokosh veten”: Sarrazin i thotë Kurtit se mund të vazhdojnë edhe pa Kosovën në CEFTA
Manuel Sarrazin, i dërguar i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, ka folur me “letra çel” në lidhje me pakënaqësitë me Qeverinë e Kosovës për CEFTA-n. Në një intervistë për Kohën, Sarrazin i ka dërguar një mesazh të qartë Qeverisë së Kosovës, duke thënë se “veç mund ta bllokosh veten”.
Tutje, Sarrazin ka thënë se “duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës” se në lidhje me tregun e përbashkët, do të vazhdojnë “edhe pa Kosovën nëse ësthë e domosdoshme”.
“Tash ne kemi parimin kryesor në Bashkimin Evropian dhe tash veç mund ta bllokosh veten dhe më duhet t’ia shpjegoj këtu Qeverisë së Kosovës se do të vazhdojmë me marrëveshje për këto çështje, lidhur me tregun e lirë të përbashkët, edhe pa Kosovën nëse është e domosdoshme. Ky është mesazhi im i sotëm” – ka thënë ai.
Në lidhje me refuzimin e Kurtit ka folur sot edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, i cili zbuloi se kryeministri kosovar refuzoi një kompromis të propozuar nga Sarrazin rreth CEFTA-s, e cila parashihte që UNMIK të zëvendësohet me Kosovën në bord.
“Manuel Sarrazin vizitoi Kosovën sërish për të nxitur Albin Kurtin që të bëjë kompromis për CEFTA-n, duke mundësuar liritë kryesore për qytetarët e Kosovës, duke zëvendësuar UNMIK-un me Kosovën në bord – pa sukses. Nëse është e nevojshme, vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor do të vazhdojnë pa Kosovën, tani për tani, për të vazhduar me bashkëpunimin rajonal dhe Procesin e Berlinit.” – ka shkruar ai.