Vdiq pasi ra në një pusetë, Komuna e sqaron: VV-ja po e politizon rastin, ai vend ishte nën menaxhimin e Qeverisë
Si pasojë e lëndimeve që kishte marrë pasi ra në një pusetë, viktima ka ndërruar jetë, shkruan Periskopi.
Për këtë ka reaguar Komuna e Prishtinës duke thënë se në vendin që i ndjeri ka rënë ishte pjesë e punimeve që menaxhohet nga Qeveria.
Duke fajësuar Qeverinë për këtë, në reagimin e Komunës thuhet se është për keqardhje se si përfaqësuesit e VV-së po e politizojnë këtë rast.
Reagimi i plotë:
SQARIM PËR PUBLIKUN
Më datën 09 gusht 2024, një i moshuar ka rënë në një pusetë të hapur përgjatë rrugës magjistrale Prishtinë – Podujevë. Si pasojë, personi në fjalë ka ndërruar jetë me 19 gusht. I shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes së të ndjerit.
Dëshirojmë të sqarojmë për publikun se është konstatuar nga ekipet tona dhe konfirmuar nga Policia e Kosovës, se puseta në të cilën ka rënë i ndjeri është në rrugën magjistrale Prishtinë – Podujevë.
Kjo rrugë magjistrale nuk është në kompetencë të Kryeqytetit, por në kompetencë të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe pjesë e punimeve të menaxhuara nga Qeveria.
Janë për keqardhje deklaratat e pavërteta nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje të cilët këtë fatkeqësi të rëndë tentojnë t’a politizojnë dhe përmes shpifjeve tentojnë t’ia hedhin fajin organeve të Kryeqytetit.